Site icon Tetova Expres

Vazhdon rrëmuja midis opozitës dhe qeverisë për korridorin 8

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut i vazhduan edhe sot akuzat ndaj qeverisë për korridorin 8, përkatësisht për segmentin Tebenishtë (veri i Liqenit të Ohrit) – Qafë Thanë, për të cilin sipas qeverisë po kërkohen rrugë alternative për të vazhduar përsëri për në kufirin me Shqipërinë.

BDI sot tha se qeveria e Hristijan Mickoskit po e përdorë arsyetimin e rregullave të UNESCO-s për ruajtje ambienti dhe trashëgimi kulturore qëllimisht për të ndryshuar këtë segment të rrugës.
Madje sipas kësaj partie opozitare qeveria po sunon që ta ndërpresë vazhdimin e rrugës së këtij korridori.

“Vendimi i qeverisë për të mos vazhduar projektin e autostradës Strugë–Qafë Thanë, duke u fshehur pas “kërkesave të UNESCO-s”, është një arsyetim i papranueshëm dhe një shmangie e qëllimshme e përgjegjësisë. UNESCO nuk është arsye për ndalim. UNESCO është justifikimi që po përdoret për të maskuar një vendim politik për ndërprerjen e një korridori strategjik. Problemi nuk është teknik. Është politik,” tha sot BDI në një komunikatë për mjete të informit përmes Facebook.

Reagimi i sotëm, por edhe i djeshëm, i BDI-së vjen pas deklaratës së Mickoskit se mund që të ketë ndryshime të këtij segmenti.
BDI ndërkohë e kritikoi VLEN se “nuk ka pasur as qëndrim, as kundërshtim, as reagim,” megjithëse zëvendës-ministrja edhe dje tha se përkundër ndryshimeve eventuale të këtij segmenti korridori 8 do të vazhdoi deri në kufirin me Shqipërinë.

Edhe Ziadin Sela, i cili tash e krijoi partinë e tij të re Lidhja Shqiptare, vazhdoi edhe sot me akuza se qeveria po synon që korridorit 8 t’ia devijojë krejtësisht drejtimin e ta lidhë atë në korridorin 10d, gjë që deri më tash Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri e ka hedhur poshtë dhe ka thënë se edhe nëse do të ketë devijim eventual të segmentit, korridori 8 përsëri do të vazhdoi për në kufirin me Shqipërinë.
Akuzat për ndryshim të krejt drejtimit të korridorit 8 i ka mohuar para një jave në një deklaratë për Zhurnal.mk edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha.

Advertisement

Hoxha tha se rishikimi që po tentohet që t’i bëhet këtij segmenti të Korridorit 8 nga Maqedonia e Veriut deri në kufirin me Shqipërinë, për shkak të ndikimit të mundshëm të tij në mjedis dhe trashëgimisë kulturore që ka të bëjë me rajonin e liqenit të Ohrit nuk do ta pengojë vazhdimin e projektit deri në realizim të plotë ashtu edhe siç është paraparë për në kufirin me Shqipërinë.
“Për këtë arsye, është e domosdoshme të shqyrtohen alternativa dhe masa zbutëse, përfshirë rishikimin e gjurmës apo zgjidhje teknike që minimizojnë ndikimin, në pasurinë ndërkufitare, pa cenuar realizimin e Korridorit VIII,” tha Hoxha për Zhurnal.mk me 23 Mars.

Hoxha tha se ai me homolgou i tij, Timço Muçunski, para pak javësh janë pajtuar që të dy qeveritë “të forcojnë më tej koordinimin, përfshirë në kuadër të UNESCO si të jetë e nevojshme, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje dhe çdo zgjidhje të jetë në përputhje me angazhimet e përbashkëta për këtë korridor, detyrimet dhe standardet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, me rëndësinë strategjike që ka ky korridor për vendet tona, rajonin dhe Aleancën Atlantike”.

Exit mobile version