Avokati i Popullit në Maqedoni të Veriut, Faton Selami, sot ka ngritur zërin përsëri ndaj mos-lejimit të studentëve shqiptarë nga ana e ministrisë së drejtësisë për të kaluar provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.
Faton Selami sot në një konferencë për shtyp rikujtoi se ai ka bërë kërkesë zyrtare për të gjetur një zgjidhje përmes harmonizimit ligjor për t’ua mundësuar studentëve shqiptarë të vendit të japin këtë provim në gjuhën shqipe.
“Për të kapërcyer këtë situatë, e cila ekziston prej shtatë vitesh për shkak të moszbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i kemi drejtuar një iniciativë të veçantë qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ndryshuar dhe plotësuar, përkatësisht për të harmonizuar zgjidhjet ligjore që rregullojnë këto provime, përkatësisht për t’u mundësuar kandidatëve t’i japin këto provime në gjuhën e tyre amtare. Sepse besojmë se nëse kjo nuk bëhet e mundur, është diskriminim, përkatësisht diskriminim indirekt bazuar në gjuhë. Prandaj, për zbatim konkret praktik, i jemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me iniciativa të veçanta,” tha ai.
