Site icon Tetova Expres

BFI: TË MBLIDHEN MATERIALET ARKIVORE MBI REFUGJATËT E KOSOVËS!

Bashkësia Fetare Islame, përmes një Thirrje Publike, njofton nisjen e aksionit për mbledhjen e materialeve arkivore mbi pritjen e refugjatëve nga Kosova gjatë periudhës 1998–1999. Kjo histori nuk duhet të mbetet vetëm kujtim, ajo duhet të dokumentohet, të ruhet dhe të transmetohet si dëshmi e gjallë për brezat që vijnë – thonë nga Bashkësia Fetare Islame.

Me udhëzim dhe obligim të kreut të BFI-së, Shaqir ef. Fetai, Arkivi i Bashkësisë Fetare Islame në RMV ka nisur procesin e mbledhjes së dokumenteve historike që dëshmojnë kontributin e jashtëzakonshëm të xhamive, hoxhallarëve dhe këshillave të xhamijave në pritjen dhe përkujdesjen ndaj vëllezërve tanë nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Në atë periudhë të rëndë dhe vendimtare, shqiptarët e Maqedonisë dhanë një shembull të rrallë solidariteti, duke u bërë strehë, mbështetje dhe shpresë për qindra mijëra njerëz – thuhet në thirrjen publike.

BFI fton të gjithë hoxhallarët dhe këshillat e xhamijave të asaj kohe, që të dorëzojnë në Arkivin e BFI-së çdo dokument, fotografi, evidencë apo dëshmi gojore që posedojnë nga ajo kohë.

Gjithashtu, sic thuhet, u bëhet thirrje të gjithë patriotëve nga Maqedonia, Bashkësive lokale, të cilët në çfarëdo forme kanë kontribuar dhe posedojnë materiale të kësaj natyre, që t’i dorëzojnë ato për këtë proces të rëndësishëm historik.

Advertisement

Në thirrjen publike potencohet se të gjitha materialet do të mblidhen dhe evidentohen, analizohen dhe sistemohen profesionalisht, digjitalizohen dhe ruhen në Arkivin qendror të BFI-së dhe më pas do të jenë të qasshme edhe për vetë dorëzuesit.

Dokumentet e mbledhura do ti dorëzohen edhe Institutit për krimet e luftës në Republikën e Kosovës në emër të shqiptarëve të Maqedonisë thuhet në thirrjen publike të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut.

Exit mobile version