Site icon Tetova Expres

KUJDES: NIS SEZONI – ARINJTË AFËR VENDBANIMEVE!

Një arushë është vërejtur në një vendparkim më fshatin Rostushë duke shëtitur midis automjeteve. Qentë ishin shqetësuar dhe kishin nisur të lehin, pas cka ariu ishte tërhequr në pyje.

Nga videoja nëpër rrjetet sociale të xhiruar nga vendasit në Rostushë mund të shihet se bëhet fjalë për një arushë të madhe. Bëhet thirrje për kujdes veçanërisht në orët e mbrëmjes.

Kohëve të fundit janë shënuar raste të shpeshta të afrimit të arinjve nëpër vendbanime. Raste ka patur edhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës por edhe fshatra tjera në Pollog.

Tv Koha ditë më parë njoftoi për zbritjen e arinjve në Stanet e Shipkovicës, ku nga pamjet shihej shkaktimi I dëmeve nëpër objektet dhe stanet. Padyshim se pas gjumit të gjatë dimëror, arinjtë në kërkim të ushqimit, nisin t`u afrohen vendbanimeve.

Ky fenomen thuhet se është si rezultat i burimeve të shterura të ushqimit në rajonet që konsiderohen si vendbanime natyrore të arinjve.

Advertisement

Kohë më parë Parku Kombëtar “Mali Sharr” kishte bërë thirrje për donacione në formën e misrit dhe mollëve, për shkak të rasteve të shpeshta ku arinjtë po u afrohen vendbanimeve në kërkim të ushqimit.

Probleme ishin evidentuar në Mavrovë ku qytetarët kishin alarmuar se arinjtë po u shkaktojnë dëme në blegtori e bletari.

Në vendin tonë i pranishëm është Ariu I murmë. Supozohet se janë rreth 300 sosh, por këto të dhëna duhet të merren me rezerva dhe të konfirmohen nga autoritetet.

Ariu i murmë mbrohet me ligj, kurse gjuetia e këtij lloji është rreptësisht I ndaluar.

Advertisement
Exit mobile version