Site icon Tetova Expres

SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 30 Mars Tetovë dhe Gostivar

Më 31.03.2026, në orën 01:50 në Gostivar, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Gostivarit kanë privuar nga liria një 34-vjecar nga Gostivari, për shkak të dyshimit të bazuar për vepër penale “vrasje”. Paraprakisht në orën 01:30 në Stacionin Policor të Gostivarit, një person (mashkull) ka raportuar se dyshon për vrasjen e një anëtari të familjes së tij. Zyrtarët policorë menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe në shtëpi është gjetur i vdekur një 63-vjeçar nga Gostivari, me lëndime të dukshme dhe gjurmë dhune në pjesën e kokës, pas së cilës, për shkak të dyshimit se bëhet fjalë për vrasje, është privuar nga liria djali i tij. Sipas deklaratave fillestare të të dyshuarit, babai i tij kishte ndërruar jetë një ditë më parë rreth orës 14:50 pas një rëzimi në banjo, por rastin nuk e kishte denoncuar tek shërbimet kompetente. Është njoftuar Prokurori Publik dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.

Dje, në orën 18:30 në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 39-vjeçar nga Gostivari. Gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij dhe ambientet ndihmëse në rr.”Balindol” si dhe në banesën e tij në rr. “Ilinden”, të kryera me urdhër gjyqësor, janë gjetur dhe sekuestruar 13 qese me lëndë të bardhë pluhur, peshore digjitale, rreth 150 copë municion të kalibrave të ndryshëm, një pistoletë sinjalizuese, patrona për pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihen kallëzimet përkatëse sipas nenit 215 dhe nenit 396 të Kodit Penal.

Dje, në orën 11:25 në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 22-vjeçar nga fshati Lisec i Tetovës. Ai kërkohej me fletarrest në bazë të urdhrit gjyqësor për vuajtje të dënimit me burg në kohëzgjatje prej një viti, për vepër penale të kryer sipas nenit 216 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu I Tetovës për vuajtjen e dënimit.

……Dje, në orën 10:50, personi një 24-vjeçar nga fshati Bërvenicë, ka raportuar se rreth orës 10:40 në rrugën drejt fshatit Çegran, është sulmuar fizikisht nga një person i cili drejtonte një automjet me targa regjistrimi të Tetovës. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje, në orën 12:55 në DPB Gostivar,një 28-vjeçar nga fshati Çajlë ka raportuar se, derisa po kryente detyra pune me makinë pune – ekskavator në Stacionin Hekurudhor në Gostivar, një person është sjellë në mënyrë agresive ndaj tij dhe ka tentuar ta sulmojë me një mjet të mprehtë. Po punohet për zbardhjen e rastit.

Advertisement

……Dje, në orën 22:15 në DPB Gostivar, një 43-vjeçar nga fshati Forinë, ka raportuar se është kërcënuar nga babë e bir, për shkak të një borxhi të pretenduar të djalit të tij. Sipas raportimit, ai është kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, , pas së cilës në mënyrë të kundërligjshme i ka marrë automjetin “Audi A3” si garanci për borxhin e pretenduar. Po ndërmerren masa për dokumentimin e rastit.

……Në mesnatë në një fshat të Tetovës, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 55-vjeçar duke vepruar sipas një denoncimi paraprak se ka sulmuar fizikisht dhe ka kërcënuar tri vajzat e tij dhe ish- bashkëshorten. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.

……Sot pas mesnate, një 30-vjeçar nga Tetova ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga disa persona brenda dhe para një objekti hotelier në Tetovë. Personi është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore, ndërsa pas zbardhjes së plotë të rastit do të dorëzohet parashtresa përkatëse.

Exit mobile version