Sipas parashikimeve më të fundit, Maqedonia po përgatitet për një ftohje të ndjeshme dhe reshje të dendura gjatë ditëve në vijim. Arsyeja e këtij ndryshimi është depërtimi i një mase ajri të ftohtë nga veriu, e cila do të përfshijë Evropën Jugore dhe Juglindore, duke formuar një ciklon të thellë mbi Detin Jon dhe jugun e Italisë, që do të ndikojë edhe në motin në vend.
Pamjet që po i shihni janë të para 2 – 3 ditëve, kur vendi ynë u përfshi nga reshje të shiut por edhe dëborës në vise veriperëndimore të vendit.
Ishte kjo pjesë e ciklonit që shkaktoi kaos në Kroaci me reshje të dendura të borës dhe erës së fuqishme.
Por,nga mbrëmja e së martës, më 31 mars 2026, pritet të nisë një periudhë me reshje të shumta.
Sipas “MeteoAlarm”në zonat e ulëta dhe në qytete do të ketë kryesisht shi, ndërsa në zonat më të larta dhe në male mbi 1.000 metra do të bjerë borë, e cila në disa vende mund të krijojë shtresë prej 40–50 centimetra, e në disa male edhe mbi gjysmë metri.
Reshjet më intensive priten të mërkurën dhe të enjten, më 1 dhe 2 prill, ku në disa zona mund të bien mbi 50 litra shi për metër katror.
Kufiri i borës, veçanërisht në pjesët veriore dhe perëndimore, do të zbresë nën 1.000 metra, ndaj borë mund të bjerë edhe në vendbanimet më të larta.
Në male dhe në qendrat e skijimit pritet rritje e konsiderueshme e shtresës së borës, gjë që do të përmirësojë kushtet për ski, por njëkohësisht kërkon kujdes të shtuar për sigurinë në rrugë.
Temperaturat do të jenë nën mesataren për këtë periudhë të vitit – në mëngjes nga 0 deri në 9 gradë, ndërsa gjatë ditës nga 5 deri në 12 gradë.
Meteorologët apelojnë që drejtuesit e automjeteve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm, sidomos gjatë lëvizjes nëpër qafa malore dhe zona më të larta ku pritet shtresë bore, si dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve në rrugë.
