Site icon Tetova Expres

REAGOJNË STUDENTËT: KANË PUNUAR NË GJERMANI DO TË PAGUAJNË NË MAQEDONI?!

Studentët që kanë qëndruar dhe punuar më shumë se gjashtë muaj në Gjermani dhe kanë përfituar kthim të tatimit, mund të përballen me detyrime shtesë tatimore në Maqedoninë e Veriut. Kjo ka shkakuar revolt dhe reagime nga studentët.

Në vend të përmirësimit të standardit studentor dhe zgjerimit të beneficioneve për studentët, ata që kanë vendosur të fitojnë të ardhura shtesë përmes programit “Work and Travel”, më së shpeshti në Gjermani, kanë marrë njoftime nga Drejtoria e të Ardhurave Publike me detyrim për të paguar tatim mbi të ardhurat e realizuara.

Sipas informacioneve të publikuara nga organizata studentore, studentët janë thirrur të paraqesin deklaratë elektronike tatimore dhe të deklarojnë të ardhurat e realizuara jashtë vendit.

Bëhet fjalë për të ardhura që tashmë kanë kaluar tatimin në Gjermani, ndërsa kërkohet edhe pagesë shtesë e tatimit për mjetet e marra si kthim i tatimit të mbajtur, të cilat janë transferuar në llogari valutore në vend.

Kuvendet studentore vlerësojnë se ky vendim është i papranueshëm. dhe bëjnë thirrje për respektimin e plotë të marrëveshjes bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë.

Advertisement

Drejtoria e të Ardhurave Publike njoftoi se studentët nuk janë “në shënjestër” dhe se nuk po vendosen detyrime të reja tatimore, por po zbatohen ligjet ekzistuese.

Institucioni thekson se qëllimi është vendosja e rendit dhe zbatimi i barabartë i rregullave tatimore për të gjithë qytetarët.

Studentët që kanë punuar jashtë vendit duhet të deklarojnë të ardhurat, por nuk do të ketë tatim të dyfishtë. Sipas marrëveshjes me Gjermaninë, tatimi për punë afatshkurtër nën 183 ditë paguhet në Maqedoninë e Veriut.

Nga DAP theksojnë se masat janë të orientuara drejt deklarimit vullnetar, dhe jo ndëshkimit.

Për rikujtim, tatimi mbi të ardhurat në Gjermani është rreth 16%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut norma është 10% (efektivisht 11.11% në përllogaritjen bruto).

Advertisement
Exit mobile version