Site icon Tetova Expres

PA AFAT PËR LIGJIN E PËRFAQËSIMIT, RRITEN SHQETËSIMET PËR BARAZINË

Procesi për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet i paqartë sa i përket afateve, pavarësisht se i njëjti ka marrë dritë jeshile nga Komisioni i Venedikut. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se po punohet për një zgjidhje të qëndrueshme, por pa specifikuar se kur pritet të finalizohet ligji.

“Sepse përvoja me Gjykatën Kushtetuese dhe kontestimin e të njëjtave na bën të jemi më të kujdesshëm. Konform edhe sugjerimeve të Komisionit të Venedikut do të formohet edhe drafti i Ligjit dhe i njëjti do çohet në procedurë. Aty konform vërejtjeve të tyre do duhet përpunim, sepse komisioni nuk kishte vërejtje substanciale por me gjithë ato vërejtje do duhet edhe formati të jetë konform sugjerimeve të komisionit”, tha Kasami.

Ndërkohë, shqetësime për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë ka ngritur edhe Elfete Ismaili, e cila reagoi ndaj zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Në kursin për oficer para 1 muaji e ca, janë përzgjedhur 16 kandidatë të gjithë Maqedonas, pa asnjë përfaqësues Shqiptar. Në misionet diplomatike, e njëjta logjikë përjashtuese po vazhdon: në Bruksel-NATO asnjë Shqiptarë, në Berlin një atashe Shqiptar zëvendësohet me një Maqedonas; në Ankara një tjetër Shqiptar zëvendësohet dhe vendin e tij e merr përfaqësues nga një nacionalitet tjetër. Kjo nuk është rastësi kjo është një qasje sistematike që po vazhdon. Kjo nuk është çështje e “meritës”, siç mund të tentohet të paraqitet. Është çështje e balancës, e drejtësisë dhe e respektimit të një realiteti multietnik që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet”, thuhet në reagim.

Nga ana tjetër, para ca ditesh kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka premtuar se ligji do të procedohet së shpejti në Kuvend me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Advertisement

Pordhe pse kanë kaluar disa muaj nga shqyrtimi i ligjit në Komisionin e Venedikut, në Shkup nuk ka pasur hapa konkretë drejt miratimit të tij. Projektligji parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin etnik në sektorin publik, do të kërkojë raporte vjetore dhe do të propozojë masa në rast të pabarazive. Ligji synon të zëvendësojë mekanizmin e njohur si Balancuesi, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut në tetor të vitit 2024, pas akuzave për abuzime në procesin e punësimit. Megjithatë, opozita shqiptare ka shprehur rezerva ndaj draftit aktual, duke vlerësuar se ai nuk përmban mekanizma të mjaftueshëm ndëshkues dhe rrezikon të mbetet vetëm në nivel rekomandimesh. Për më shumë se dy vite, vendi mbetet pa një zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore, ndërsa pritjet për miratimin e ligjit vazhdojnë.

Exit mobile version