Nga pjesa e Shqipërisë segmenti drejt vendkalimit kufitar të Qafë Thanës do të ndërtohet plotësisht me Autostradë, konfirmojnë për TV21 nga Tirana zyrtare. Prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqiptare thonë se me kërkesë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është miratuar ndryshimi i një trajektore të re me tunel për të hapur edhe një vendkalim të ri kufitar me Republikën e Shqipërisë. Por, sipas tyre nuk do të pezullohet dhe as të tjetërsohet projekti aktual në zonën e mbrojtur nga UNESCO.
“Punimet e autostradës së Korridorit 8 zhvillohen në dy segmente njëkohësisht Rrogozhinë-Elbasan dhe Elbasan-Qafë Thanë. Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kërkuar që të projektohet një trase e re nga ura e Bushtricës përmes një tuneli drejtë Ladorishtes dhe të hapet një vendkalimi i ri kufitarë, për shkurtim të kohës dhe për të evituar maloret që janë më të kushtueshme për ndërtim dhe mirëmbajtje. Por, Qeveria e Shqipërisë do të vazhdoj edhe segmentin e mëparshëm drejt Qafë Thanës me Autostradë, për të cilat po zhvillohen punimet edhe në zonën e mbrojtur nga UNESCO”, thonë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për TV21.
Sot pikërisht në Qafë Thanë ishin të pranishëm qeveritarët e të dyja vendeve për inter-konektorin energjetik, por nuk folën për autostradën e Korridorit 8.
Ndërsa nga VLEN- betohen se ky projekt do të jetë amanet i këtij mandati ose nuk do të jenë më pjesë e qeverisë.
“Që ky segment nuk ka ku shkon tjetër përveç se të përfundoj në lidhje me Qafë Thanën në Shqipëri, unë nuk e di prej nga i nxjerrin këto insinuate që një projekt kaq serioz të përfundoj pa dalje diku ose pa një destinacion të caktuar? Kështu që ne jemi garancia! Shqiptarët duhet të rrinë të qetë se ne po bëjmë Korridorin 8, do ta bëjmë edhe rrugën Shkup-Bllacë, do ta bëjmë edhe rrugën Tetove-Prizren. Po që se nuk do të bëhen këto në mandatin tonë, unë ju garantoj se as unë, as Besa e shkrirë në VLEN nuk do të jetë pjesë e Qeverisë”, theksoi Adnan Azizi, deputet i VLEN.
Dje TV21 e publikoi dokumentin me 8 vërejtjet e Komitetit të trashëgimisë botërore të UNESCO për Maqedoninë e Veriut, në të cilin vetëm në një pikë përmendet autostrada për Korridorin 8.
Kryeministri Mickoski dje tha se në segmentin andej kufirit në pjesën e Shqipërisë nuk do të jetë autostradë.
