Ajo që u paralajmërua me muaj të tërë, përfundimisht u bë realitet. Kompania “Panini” zyrtarisht lëshoi në shitje albumin më të madh në histori për Kampionatin Botëror, kushtuar Mundialit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Pasi tashmë janë bërë zyrtarisht të njohura të gjitha përfaqësueset që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror, kompania Panini ka publikuar detaje për albumin e saj të ri të kartolinave. Ky pritet të jetë albumi më i madh në histori.
Panini e shoqëroi nisjen e shitjes edhe me një video promovuese ku shfaqen ikona të futbollit italian dhe botëror, si gjyqtari legjendar Pierluigi Collina dhe futbollisti Roberto Baggio.
Në video, ata u bëjnë thirrje koleksionistëve që është koha për të nisur mbledhjen e kartolinave.
Në mënyrë ironike, Italia – vendi nga vijnë këto figura të famshme – nuk do të jetë pjesë e albumit. Përfaqësuesja italiane nuk arriti të kualifikohet për Kampionatin Botëror pasi u mposht nga Bosnja dhe Hercegovina.
Albumi i ri do të ketë 112 faqe dhe hapësirë për plot 980 kartolina. Porositë janë hapur më 1 prill, ndërsa albumi do të dalë në shitje nga 1 maji.
Për krahasim, albumi i Kampionatit Botëror të fundit kishte 670 kartolina.
Por, ajo që I shqetëson më së shumti koleksionistët është çmimi. Me rritjen e numrit të pjesëmarrësve në 48 dhe numrit të përgjithshëm prej gati 1.000 kartolinave, matematika është bërë brutale.
Por, nëse “Panini” e ka tepruar me përmasat e albumit dhe çmimet ose do të fitojë pasioni, do ta dëshmojë koha dhe xhepi i koleksionistëve të kartolinave të futbollistëve.
Ndërkohë, “gjuetia” për kartolinat dhe “duplikatet”, zyrtarisht mund të fillojë!
