Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nga 10 Prilli fillon evidenca elektronike dhe kontrolli në pikat kufitare për shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Evropian. Siç thuhet në komunikatë, si pasojë, mund të ketë rritje të kohës së pritjes në pikat kufitare gjatë hyrjes në BE.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nga data 10.04.2026 fillon zbatimi i plotë i sistemit të hyrje-daljes në Bashkimin Evropian (EES – Entry/Exit System).
Ky sistem sjell një mënyrë të re, të digjitalizuar të regjistrimit dhe kontrollit të shtetasve nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, të cilët udhëtojnë për qëndrim afatshkurtër.
Me vendosjen e sistemit EES, hyrjet dhe daljet do të regjistrohen në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do të përpunojë edhe të dhëna bazë biometrike (gjurmë gishtash dhe fotografi), me qëllim identifikimin më të shpejtë dhe monitorimin më efikas të qëndrimit të lejuar sipas rregullit “90 ditë brenda 180 ditëve”.
Si pasojë, mund të ketë rritje të kohës së pritjes në pikat kufitare gjatë hyrjes në BE.
Njëkohësisht, bëhet e ditur se Policia Kufitare e vendit ka ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme, duke vënë në funksion të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore, për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë dhe të pandërprerë të udhëtarëve në pikat kufitare.
Policia Kufitare do të jetë me angazhim të shtuar në terren, do të monitorojë vazhdimisht situatën, do të ndërmarrë masa për ruajtjen e rrjedhshmërisë së trafikut dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të rëndësishëm lidhur me zbatimin e këtij sistemi.
