Site icon Tetova Expres

FUNDI I NJË EPOKE – KFF LUBOTENI TËRHIQET NGA LIGA!

Klubi më shumë trofe dhe më i suksesshëm i futbollit për femra në Maqedoni në vitet e fundit, Luboteni nga Tetova, ka njoftuar mbylljen e tij. Përmes një komunikate emocionale dhe të ashpër në faqen zyrtare në Facebook, drejtuesit e klubit konfirmuan se sezoni aktual do të jetë i fundit për ta.

“Fundi i një epoke” kështu Klubi I Femrave “Luboteni” ka paralajmëruar shuarjen e klubit.

Sipas tyre, arsyeja e këtij vendimi drastik lidhet me qëndrimin e FFM-së dhe me kushtet e përgjithshme në futboll, përfshirë edhe ngjarjet josportive në terren, të cilat kanë demotivuar njerëzit që e udhëhoqën këtë projekt të suksesshëm.

Në reagimin e tyre, Luboteni shpreh zhgënjim të thellë ndaj federatës, duke theksuar se nuk ka vend për projekte të suksesshme dhe investime serioze në futbollin vendas.

“Pas zhvillimeve të fundit në terren, që ishin gjithçka përveç sportive, si dhe vendimeve të Federatës së Futbollit, u bë e qartë se nuk ka vend për ata që investojnë me sinqeritet dhe duan përparim… Humbën të gjithë – humbi Tetova, humbi përfaqësuesja (kemi 10 lojtare të kombëtares), humbi futbolli!”, thuhet në reagim.

Advertisement

Klubi zbulon gjithashtu se kanë dështuar planet për blerjen e një autobusi të klubit, si dhe një projekt i madh për ndërtimin e një qendre stërvitore me hotel pranë Tetovës, në bashkëpunim me një investitor të huaj.

Në fund, ata falënderuan futbollistet, si dhe kryetarin e komunës së Tetovës dhe ministrin e sportit për mbështetjen, duke theksuar se lufta me padrejtësitë ishte bërë e pamundur.

 Shaban Sinani – TV KoHA
Exit mobile version