Site icon Tetova Expres

MINISTRIA E DREJTËSISË: JEMI PËR DIALOG – POR VETËM NË BAZË TË KUSHTETUTËS!

“Ministria e Drejtësisë e respekton të drejtën për protestë si një nga të drejtat themelore demokratike të çdo qytetari. Shprehja e lirë e qëndrimeve dhe iniciativave përmes tubimeve publike përbën një segment të rëndësishëm të shoqërisë demokratike dhe kontribuon në avancimin e dialogut publik – thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë, pas protestës së sotme të studentëve.

Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate thotë se me keqardhje konstaton se protesta e sotme edhe një herë tregoi përpjekje për manipulim të qytetarëve nga struktura politike që për më shumë se dy dekada kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në krijimin e gjendjeve të këqija në sistemin e drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto veprime hapin dyshime për përpjekje për manipulim publik dhe instrumentalizim përmes nxitjes së çështjeve të ndjeshme, si dhe përdorimit të dukshëm të retorikës etnike për arritjen e qëllimeve afatshkurtra politike.

Në këtë kontekst, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është evidente edhe mungesa e përdorimit të simboleve shtetërore në protestën e sotme, gjë që, sic thonë, vë në pikëpyetje kapacitetin demokratik të organizatorëve dhe qëndrimin e tyre ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.

Sa i përket kërkesave lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës, Ministria e Drejtësisë edhe një herë thekson dhe konfirmon se ai zhvillohet në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Bëhet fjalë për një provim profesional që nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për sigurimin e cilësisë dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë.

Advertisement

Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog konstruktiv me të gjitha palët e interesuara dhe i shqyrton me kujdes të gjitha iniciativat dhe propozimet, ekskluzivisht në kuadër të kompetencave ligjore.

Nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim të Kushtetutës dhe ligjeve. – thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Exit mobile version