Komisioni Rregullator për Energjetikë ka miratuar vendimin për të ndryshuar çmimet e derivateve të naftës.
Çmimi me pakicë I benzinës EUROSUPER BS – 95 ulet për 0.50 denarë dhe nga mesnata do të jetë 83.50 den për litër, kurse i benzinës EUROSUPER BS-98 nuk do të ndryshohet dhe mbetet në nivelin e njëjtë prej 85.50 den.
Çmimi me pakicë I dizelit rritet për 2.50 denarë për litër dhe do të jetë 98 denarë
KRRE ka njoftuar se nëse nuk intervenonte Qeveria në akcizat dhe TVSH-në, çmimi I benzinës do të ishte më I lartë për 8.50 denarë, kurse I dizelit për 12 denarë.
Qeveria ka vendosur të ulë akcizën për dizelin me katër denarë, ndërsa për benzinat me dy denarë.
Njëkohësisht, vazhdon të zbatohet masa për uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%.
Gjithashtu, me kompaninë OKTA është arritur marrëveshje që të vazhdojë edhe zbritja shtesë – dy denarë për benzinat dhe tre denarë për dizelin, të paktën deri në fund të muajit prill.
Sipas Qeverisë, këto masa synojnë të zbusin presionin e çmimeve mbi qytetarët dhe të ruajnë standardin jetësor.
Autoritetet qeveritare thonë se pavarësisht rritjes së ndjeshme të kërkesës – veçanërisht në rajonet kufitare, ku është trefishuar shitja e derivateve të naftës – për momentin nuk ka nevojë për kufizimin e sasisë së karburanteve që blejnë shtetasit e huaj.
Nëse kriza vazhdon, Qeveria po shqyrton edhe masa shtesë, përfshirë uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore nga 5% në 0%, si dhe riaktivizimin e masës për ngrirjen e marzheve.
Gjithashtu po analizohet mundësia që efektet e kësaj mase të zgjasin edhe pas heqjes së saj formale, me qëllim që të parandalohet një rritje e menjëhershme e çmimeve.