Site icon Tetova Expres

LIGJI PËR PËRFAQËSIM TË DREJTË DHE ADEKUAT – REAGIME!

Mbyllja e hapësirës për paqartësi, improvizime dhe keqpërdorime që në të kaluarën shkaktuan mosbesim dhe abuzime. Ky është Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe të Përshtatshëm, i cili dje mori “dritë jeshile” nga Qeveria. Ligji do të zëvendësojë “balancerin” e mëparshëm – një mjet që përdorej për të përcaktuar përqindjen e përfaqësimit të duhur të të punësuarve në sektorin publik sipas çdo komuniteti etnik.

Koalicioni VLEN e përshëndeti miratimin e këtij draft-ligji, duke e përshkruar atë si një arritje historike dhe një hap të rëndësishëm drejt barazisë institucionale, pasi pas më shumë se dy dekadash, kjo çështje po rregullohet për herë të parë me ligj.

Vazhdojnë provokimet – në këtë mënyrë përmes rrejeteve sociale ka reaguar Bujar Osmani nga BDI-ja.

“Qeveria paska miratuar një ligj karikaturë të Karakamishevës për “përfaqësim të drejtë”, ku balancuesi, që ishte formulë obligative ligjore për garantimin e përfaqësimit të drejtë, zëvendësohet me një komision i cili një herë në vit do të japë raport për përfaqësimin e drejtë. Provokim pas provokimi. Deri kur?” – shkruan Osmani në Facebook.

Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë fuqishëm propozim-ligjin e hartuar nga Tanja Karakamisheva, i cili përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore – reagojnë nga ASH-ja e Arben Taravarit.

Advertisement

“Ne kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij propozim-ligji dhe hapjen e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane për përfaqësim të drejtë” – thonë nga ASH-ja.

Por, si do të funksionojë tani ky ligj?
Sipas qeverisë, do t’i kushtohet vëmendje e veçantë përmirësimit të përfaqësimit të qytetarëve që i përkasin komuniteteve të nën-përfaqësuara në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera të sektorit publik.

Sipas ligjit, “kualifikimet, aftësitë dhe kompetenca mbeten kriteri kryesor, ndërsa përkatësia ndaj një komuniteti të nën-përfaqësuar mund të merret parasysh vetëm si kriter dytësor, në rast të kualifikimeve dhe kompetencave të barabarta midis kandidatëve.”

Ligji parashikon gjithashtu krijimin e një Trupi Koordinues për monitorimin e përfaqësimit të drejtë dhe të përshtatshëm, i cili do të mbikëqyrë dhe do të garantojë zbatimin e ligjit në praktikë.

Balanceri u shfuqizua me vendim të Gjykatës Kushtetuese më 9 tetor 2024.

Advertisement

Më parë, më 18 shtator 2024, Gjykata Kushtetuese kishte nisur procedurë për balancerin, pasi gjykatësit diskutuan nëse ky mjet cenonte parimin e kompetencës dhe aftësive profesionale dhe shkelte të drejtën kushtetuese për punësim dhe zgjedhje të lirë të punës.

Kjo çështje u ngrit pas një iniciative të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për shkak të keqpërdorimeve gjatë punësimeve.

Exit mobile version