Kryeministri Hristijan Mickoski, pranoi se çmimet e shpenzimeve të përgjithshme janë të larta.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me vlerësimet për inflacionin i cili është 4,9% dhe nëse nevojiten masa më të mëdha, pasi shporta konsumatore brenda një muaji nuk mund të mbushet as me dy paga minimale, ai tha se shporta e Lidhjes së Sindikatave, është mesatare, jo minimale”.
Kryeministri sërish premtoi masa, sic tha, të mikrotargetuara.
“Pajtohem plotësisht me ju se çmimet janë të larta dhe se ajo që ne si Qeveri po bëjmë, e që e kemi në dispozicion, është të kemi masat e radhës të mikrotargetuara. Por, po e ndjekim, po e përsëris, situatën dhe do të marrim masa në varësi të asaj se si do të zhvillohet situata.
Sepse, gjithsesi duhet të kemi parasysh se këtë vit po kthejmë dy miliardë e gjysmë euro borxhe të vjetra. Dhe na gjetën dy lufta, ajo në Ukrainë dhe ajo në Gjirin Persik. Jemi bashkë me qytetarët dhe nuk do të lejojmë sjellje jotregtare të zinxhirëve të marketeve”.
Por, në terren situata është ndryshe!
Inflacioni ka mbërritur thuajse në 5% në muajin mars krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Statistika thotë se janë rritur edhe harxhimet me pakicë për 3.4%. Për një vit ushqimi dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për mbi 7%.
Shtrenjtim më I madh prej 12.7% shënohet tek pemët,pasojnë qumështi, vezët dhe prodhimet e qumështit prej 8%. Rritje serioze vërrehet tek kafeja që shkon deri në 25%.
Për një vit janë shtrenjtuar veshmbathja, sigurimi shëndetësor, rekreimi, sporti, kultura kurse çmimet janë rritur edhe nëpër restorane, akomodimin dhe arsimin.
