Atletiko Madridi dhe Paris Sen Zhermen kanë regjistruar fitore kundër Barcelonës dhe Liverpulit në ndeshjet e para të çerekfinales së UEFA Liga e Kampionëve. Ndeshjet kthyese zhvillohen më 14 dhe 15 prill.
Një përballje e tensionuar në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve në “Camp Nou” mes Barcelonës dhe Atletiko Madrid përfundoi me fitoren 0-2 të madrilenëve.
Katalanasit u treguan kërkues, por jo mjaftueshëm konkretë në fazën sulmuese, duke pësuar humbjen e parë pas 10 ndeshjesh në të gjitha kompeticionet.
Kartoni i kuq i Pau Kubarsit ndryshoi rrjedhën e lojës dhe tashmë blaugranat kanë një detyrë shumë të vështirë javën që vjen në “Metropolitano”.
Nga tabori i Barcelonës kanë drejtuar akuza ndaj referit Ishtvan Kovaç duke e etiketuar si fajtorin kryesor për disfatën.
Fitorja e rëndësishme për skuadrën e Simeones, ishte gjithashtu e para në Camp Nou që nga viti 2006, duke i vendosur ata në një pozicion shumë të favorshëm përpara ndeshjes së kthimit.
Tani, Atletiko ka mundësinë të mbyllë kualifikimin në shtëpi dhe të realizojë një arritje unike: tre fitore ndaj Barcelonës në çerekfinalet e Champions League.
PSG ka hedhur një hap drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve, duke siguruar një fitore në ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Liverpulit me shifrat 2-0.
Ka qenë një ndeshje e dominuar totalisht nga skuadra e Luis Enrikes e cila gjeti dy herë rrjetën por shpërdoroi edhe shumë mundësi të tjera shënimi para portës.
Ndeshjet kthyese Atletiko Madrid – Barcelona dhe Livepuli – PSG luhen më 14 prill, ndërsa takimet Bayern Munih – Real Madrid dhe Arsenal – Sporting zhvillohen më 15 prill.
SHABAN SINANI – TV KOHA
