Në periudhën 16–27 mars 2026, në shkollën fillore Leopoldinum – Smart City në Graz, u zhvillua një shkëmbim arsimor dhe mjedisor me pjesëmarrjen e një delegacioni nga Maqedonia e Veriut, i përbërë nga përfaqësues të UEJL-së. Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e kompanisë austriake Saubermacher, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e qëndrueshmërisë dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në arsim.
Gjatë qëndrimit, delegacioni u përfshi në aktivitete të bazuara në mësimin kërkimor (Inquiry-based Learning) në kuadër të programit prestigjioz IB-PYP. Fokus u vu te tema ndërdisiplinore “Sharing the Planet”, ku nxënësit trajtuan sfida reale mjedisore si ndotja e ujit, riciklimi dhe biodiversiteti. Nxënësit e klasave të para dhe të dyta prezantuan rezultatet e tyre përmes lojërave me role, duke dhënë mesazhe të fuqishme dhe zgjidhje konkrete si riciklimi, reduktimi i ndotjes dhe përdorimi i energjisë diellore. Prezantimet u zhvilluan në gjuhën angleze, në një mjedis shumëgjuhësh me nxënës nga mbi 40 shtete.
Ky projekt shënon gjithashtu një moment historik, pasi përfaqëson për herë të parë një qëndrim mësimor në një shkollë austriake me pjesëmarrjen e njëkohshme të përfaqësuesve nga UEJL (një profesor dhe dy studente). “Ky angazhim mundësoi aplikimin e njohurive teorike në praktikë, duke zhvilluar aftësi në mësimin e bazuar në projekte, komunikim dhe bashkëpunim ndërkulturor”, potencoi profesori unverzitar z.Hajrulla Hajrullai.
Angazhimi aktiv dhe përfshirës i pjesëmarrësve u vlerësua edhe nga media austriake, e cila theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të tillë në promovimin e metodave inovative të mësimdhënies dhe ndërgjegjësimit mjedisor në nivel ndërkombëtar.
Një rol kyç në këtë iniciativë luan kompania Saubermacher, përmes angazhimit të themeluesit të saj, Hans Roth, i cili thekson rëndësinë e ndarjes së njohurive dhe përvojave në Evropën Juglindore. Sipas tij, qëllimi nuk është vetëm përmirësimi i infrastrukturës së menaxhimit të mbeturinave, por edhe krijimi i një ndikimi të qëndrueshëm në shoqëri përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj. Ai nënvizon se fëmijët janë “ambasadorët e mjedisit të së nesërmes”.
Në këtë kontekst, bashkëpunimi me Komunën e Tetovës përfaqëson një model të suksesshëm të partneritetit publiko-privat në fushën e mjedisit që mbulon rreth 105.000 banorë, me synim arritjen e standardeve evropiane në ekonominë qarkore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Duke e pasur parasysh rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e arsimit dhe qëndrueshmërisë komuna e Tetovës në vazhdimësi dha mbështetje për realizim të suksesshëm të këtij aktiviteti.
“Përpos një qyteti më të pastër dhe më të rregullt, tani është koha të vazhdojmë edhe me replikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në avancimin e arsimit dhe qëndrueshmërisë. Me përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë kemi sjellë një standard të ri evropian në menaxhimin e mbeturinave,” theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve të përbashkëta, pjesëmarrësit e shkëmbimit do të angazhohen në aktivitete ndërgjegjësuese me nxënësit e shkollave fillore në Tetovë, duke promovuar një model thelbësor bashkëpunimi mes sektorit publik, atij privat dhe akademisë.
