Site icon Tetova Expres

MICKOSKI: FURNIZIMI ME NAFTË NUK KA PENGESË, KEMI REZERVA

Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të rezervave të naftës, tha sot kryeministri Hristjan Mickoski duke shtuar se ka ditë kur pompat e benzinës sigurojnë mbi 2 milionë litra derivate në ditë. Ai shtoi se deri tani nuk ka asnjë paralajmërim për pengesa në furnizim, pavarësisht krizës që u shkaktua nga lufta në lindjen e mesme.

“Kemi mjaftueshëm sasi të karburantit dizel dhe të produkteve të tjera të naftës, edhe në gyp përçuesin që e lëshuam në fillim të vitit, që e lidh Rafinerinë OKTA me portin e Selanikut, por edhe në rezervat shtetërore. Nuk kemi deri tani paralajmërime për çfarëdo pengese në pjesën e furnizimit” tha Mickoski.

Maqedonia e Veriut është nga vendet e rajonit me çmimin më të lirë të naftës, ndërsa për këtë, Mickoski tha se nuk do të vendoset kufizim për veturat me targa të huaja, pasi sipas tij, në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut ndihmon edhe shtete fqinje.

“Nuk planifikojmë të vendosim kufizime, në këtë mënyrë ndihmojmë edhe fqinjët tanë, sepse disa aeroporte nga rajoni marrin kerozinë nga ne. Kështu që edhe këtu nuk planifikojmë të vendosim kufizim për sasi. Shumë qytetarë nga vendet fqinje furnizohen me benzinë dhe dizel nga pompat tona. Disa pompa për 3-4 herë e kanë rritur shpenzimin”, tha Micksoki.

Përndryshe, ditëve të fundit një fluks i madh makinash nga shtetet fqinje Kosova dhe Shqipëria kanë vërshuar në pikat kufitare më të afërta me Maqedoninë e Veriut për t’u furnizuar me karburantë pasi që në krahasim me shtetet tjera të rajonit, Maqedonia i ka çmimet më të lira.

Advertisement
Exit mobile version