Site icon Tetova Expres

KASAMI IRONIZON ME LETRËN E AHMETIT: E DËRGOI EDHE NË HËNË

Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN ka ironizuar me letrën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti, drejtuar ndërkombëtarëve. Sipas Kasamit, letra e Ahmetit është dërguar edhe në Hënë, me anijen kozmike Artemis II, duke shtuar se këtë letër ai e ka bërë pas 20 vitesh dështim me menaxhimin e institucioneve dhe qeverisë.

“Unë dëgjova se një letër të tillë e ka nisur për në Hënë, për Artemis. Ali Ahmeti ka mbetur duke kundërshtuar vetveten. Për 20 vite dështime, sot është zgjuar nga gjumi. Mirë që është zgjuar, por duhet t’i tregojë dikush se është në jerm e jo në realitet,” u shpreh Kasami.

Kujtojmë se dje kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti, ka përcjellë letrën e tij të hapur komunitetit ndërkombëtarë të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe liderëve botërorë dhe personaliteteve të shquara ndërkombëtare.

Në hyrje, Ahmeti thekson përkushtimin e vazhdueshëm të BDI-së ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, si dhe integrimit euroatlantik të vendit. Ai shpreh shqetësimin për zhvillimet e fundit politike që prekin këto arritje, përfshirë heqjen e mekanizmit të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve, sfidat në funksionimin e institucioneve që zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe iniciativat për minimin dhe kontestimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes kësaj letre, Kryetari Ahmeti kërkon angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për ruajtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e stabilitetit dhe avancimin e perspektivës euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Advertisement
Exit mobile version