Site icon Tetova Expres

Presion ndaj studentëve shqiptarë – Reagon ashpër Forumi për të Drejtat e Njeriut

Screenshot

REAGIM ZYRTAR nga Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
dhe në emrin e Kryetarit të Nderit, Idriz Sinani
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut reagon ashpër ndaj veprimeve të fundit të pushtetit sllavo-maqedon, i cili përmes thirrjeve në “biseda informative” po ushtron presion të drejtpërdrejtë ndaj studentëve organizatorë të protestave legjitime.
Ftesa në polici e njërit nga organizatorët e protestave të studentëve të Jurisprudencës, Mevlan Ademi, si dhe marrja në pyetje e kolegut të tij Jon Selimi, përbën një akt shqetësues dhe të papranueshëm, që bie ndesh me standardet ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, veçanërisht me të drejtën për organizim, shprehje të lirë dhe protestë paqësore.
Ne e konsiderojmë këtë veprim si përpjekje për frikësim dhe heshtje të zërit studentor, i cili është themeli i një shoqërie demokratike.
Forumi ynë i jep përkrahje të plotë dhe të fuqishme protestës së studentëve dhe deklaron se do të jetë gjithmonë në krah të tyre, në mbrojtje të çdo kërkese të drejtë dhe legjitime që ata parashtrojnë.
I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të respektojnë Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ku parimi themelor është barazia e të gjithë qytetarëve pa dallim. Çdo formë diskriminimi, presioni apo trajtimi i pabarabartë është në kundërshtim të plotë me këto norma universale.
Është e papranueshme që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Kushtetuta aktuale, e cila i kategorizon shqiptarët si “pakicë”, duhet të rishikohet urgjentisht në frymën e barazisë së plotë shtetformuese.
Pa barazi të vërtetë dhe pa respekt të dinjitetit të popullit shqiptar, nuk mund të ketë stabilitet, drejtësi dhe të ardhme të qëndrueshme për shtetin.
Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të presioneve ndaj studentëve dhe garantimin e të drejtave të tyre themelore.
Idriz Sinani
Kryetar Nderi
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Prill 2026

Exit mobile version