Site icon Tetova Expres

Humbja historike e Viktor Orban në Hungari, analiza e CNN: Pse mbështetja e SHBA nuk i mjaftoi? Qytetarët e konsideruan Peter Magyar si të vetmin që mund ta mposhte

Edhe pse sondazhet parashikonin një fitore të qartë për partinë opozitare Tisza të fituesit të zgjedhjeve, Péter Magyar, shumëkush ruante rezerva deri në momentin e fundit, ndaj humbja e Orbán për shumëkënd u perceptua si një ndryshim regjimi.

Siç deklaroi për CNN shkrimtari dhe poeti András Petőcz, ndjesia i kujtoi periudhën e rënies së Bashkimit Sovjetik. “Isha 30 vjeç kur përfundoi regjimi komunist. Është e njëjta ndjesi, e njëjta,” tha ai nga brigjet e Danubit, ku ishin mbledhur mijëra mbështetës të Fidesz për të dëgjuar rezultatet.

Sipas analizës së rrjetit amerikan, “ndonëse shumë gjëra mbeten të paqarta, nga madhësia e shumicës parlamentare të Tisza deri te mënyra se si do të nisë çmontimi i sistemit të ndërtuar nga Fidesz, humbja e Orbán tregon kufijtë e populizmit. Ajo ofron mësime si për ata që do të donin ta imitonin, ashtu edhe për ata që gëzohen për largimin e tij.”

Mësimi i parë është se është e vështirë të ndërkombëtarizohet nacionalizmi. Pasi ka qeverisur për kaq gjatë si mbrojtës i sovranitetit kombëtar, duke premtuar të mbrojë Hungarinë nga kërcënimet e supozuara të Bashkimit Evropian dhe ideologjisë liberale, fushata e tij përfundimisht u mbështet fort në përkrahjen e aleatëve të fuqishëm ndërkombëtarë si SHBA dhe Rusia”, shkruan CNN.

Pavarësisht deklaratave të nënpresidentit të SHBA-së, J.D. Vance, i cili udhëtoi në Budapest për të mbështetur aleatin më të afërt të administratës Trump në Evropë, duke thënë se “do ta ndihmoj Orbán sa më shumë të mundem”, si dhe thirrjes edhe më të fortë të presidentit amerikan “dilni dhe votoni për Viktor Orbán, një mik i vërtetë, luftëtar dhe fitues”, këto ndërhyrje nuk dhanë rezultat.

Advertisement
“Megjithëse disa hungarezë mund të jenë ndier të vlerësuar nga vëmendja e një superfuqie, ekziston një kontradiktë në të priturit që qytetarët të votojnë një politikan nacionalist sepse ua sugjeron një fuqi e huaj,” thekson CNN.

Para humbjes së Orbán, politologu Ivan Krastev, i cili e ka studiuar kryeministrin në largim që nga fillimi i viteve ’90, komentoi: “Ironia është se nëse humbet, do të humbasë si një përkrahës i globalizimit. Duke kërkuar ndihmë nga miq të fuqishëm jashtë vendit, Orbán bëri pikërisht atë që do të pritej nga liderët ndërkombëtarë.”

Sipas CNN, arsyeja pse fushata e Orbán u fokusua kaq shumë në politikën e jashtme ishte imazhi i dobët në planin e brendshëm. Ky është një tjetër mësim nga humbja e tij: populizmi mbështetet në përplasje të vazhdueshme dhe ka nevojë për armiq të përhershëm. Orbán gjeti shumë të tillë: OJQ-të, universitetet liberale, George Soros, komunitetin LGBTQ+, Bashkimin Evropian.

Por në një moment, “armiqtë” mbarojnë. Një pjesë e madhe e fushatës së tij targetoi Ukrainën. Budapesti u mbush me postera të presidentit Volodymyr Zelensky me slogane si “Rrezik!” dhe “Mos e lini të qeshë i fundit”.

Pa një ekonomi të fortë apo një sistem shëndetësor efektiv, fushata e tij u përpoq të frikësonte votuesit, duke paraqitur Fidesz si “zgjedhjen e sigurt”. Siç tha Krastev, paraqitja e Ukrainës si kërcënimi kryesor për sovranitetin hungarez përfundoi duke u dukur qesharake, shkruan CNN.

Përballë këtyre kërcënimeve të paqarta, Magyar u mjaftua duke vënë në dukje gjendjen e brendshme të vendit, e cila nuk i kënaqte hungarezët.

“Për ata që duan të mposhtin populizmin, humbja e Orbán ofron gjithashtu mësime. Pavarësisht fitores së tij, shumë hungarezë liberalë dhe të majtë nuk janë entuziastë për Magyar, një ish-zyrtar i Fidesz me pikëpamje konservatore. Megjithatë, ata u bashkuan rreth tij, duke e parë si mundësinë më të mirë për të mposhtur Orbán. Siç tha politologu Péter Kreko, votuesit nuk lejuan që ‘e përkryera’ të bëhej armike e ‘së mirës’,” thuhet në analizën e CNN.

Advertisement

Në fjalimin e fitores, Magyar pranoi sfidat dhe i bëri thirrje Orbán të veprojë si një lider tranzitor pa penguar qeverinë e re. Megjithatë, për mbështetësit e tij, nëse Tisza do të arrijë të çmontojë sistemin e Orbán dhe të qeverisë në mënyrë efektive, mbetet një çështje për të ardhmen.

“Do të ishte një kthesë e mirëpritur nëse Hungaria kalon nga një shembull i iliberalizmit dhe autoritarizmit në një shembull të ndryshimit demokratik,” tha Kreko, por kjo mbetet për t’u parë, përfundon CNN.

Exit mobile version