Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se ish-kryeministri Nikolla Gruevski do të arrestohet menjëherë nëse kthehet në vend, pasi ndaj tij ekziston një vendim gjyqësor në fuqi që duhet zbatuar nga institucionet.
Mickoski u shpreh se qeveria është e detyruar të respektojë ligjin dhe se çdo person që ka një dënim të formës së prerë duhet të përballet me drejtësinë, nëse paraqitet në territorin e shtetit. Ai theksoi se institucionet e rendit do të veprojnë menjëherë për ekzekutimin e vendimit.
Sa i përket mundësisë së ekstradimit të Gruevskit nga Hungaria, Mickoski tha se kjo është çështje që i takon autoriteteve hungareze, duke kujtuar se kërkesa për ekstradim është bërë në vitin 2018, por është refuzuar në vitin 2019. Ai shtoi se në Hungari ekzistojnë edhe procedura të tjera ligjore, përfshirë ato që lidhen me azilin.
