Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka theksuar rëndësinë e diasporës dhe nevojën për forcimin e lidhjeve me qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
Në fjalën e mbajtur në Samitin e IV të Diasporës, Gashi e cilësoi diasporën si një pjesë të pandashme të identitetit, duke u shprehur shpresëplotë për rikthimin dhe rilidhjen e shqiptarëve që kanë emigruar ndër vite.
Ai ngriti shqetësimin për shkaqet e shpërnguljes së qytetarëve, duke theksuar se emigrimi nga rajoni ka ndodhur për arsye të ndryshme. Sipas tij, në Kosovë faktorët kryesorë ka qenë lufta, ndërsa në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut kanë dominuar faktorët ekonomikë dhe institucionalë.
“Mërgata është diçka që e ndjej më të afërt dhe shpresoj të kthejmë lidhjet tona me këtë pjesë që ka ikur jashtë vendit e shpresojmë të kthehen sa më shpejt. Si ta bëjmë rilidhjen dhe rikthimin e qytetarëve tanë të cilët me gjeneratat të tëra kanë braktisur vendin e tyre dhe jetojnë jashtë atdheut. Në analizën time, më del se shpërngulja nga shteti shqiptar ka ndodhur pas viteve ’90 për arsye ekonomike. Në Kosovë ka një kombinim faktorësh ku dominon faktori politik ai i shpërnguljes së dhunshme që fillon në regjimin e Millosheviçit, ndërsa te shqiptarët e Maqedonisë është kombinim faktorësh ekonomik dhe politik e institucional”, deklaroi ai.
Afrim Gashi theksoi se pa analizuar arsyet e ndryshme të emigrimit, nuk mund të krijohen politika efektive për të nxitur kthimin e qytetarëve dhe për të ndalur largimin e tyre.
Ai shtoi se qëllimi kryesor duhet të jetë krijimi i kushteve që qytetarët të jetojnë dhe punojnë në vendin e tyre, duke e kthyer diasporën në një faktor zhvillimi dhe rikthimi.
Gashi nënvizoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim institucional për të adresuar sfidat demografike dhe për të ndërtuar politika që vendosin në qendër njeriun dhe mirëqenien e tij.
“Pa parë diversitetin e arsyeve të mërgimit, s’mund të arrijmë te qëllimi për krjimin e kusheteve në shtetet tona që qytetarët të jetojnë në vendin e tyre dhe diaspora të kthehet në vendlindje. Ta kthejmë procesin demografik ku duhet. Nëse duam të kemi emërues të përbashkët të politikave përse ekziston ky pluralitet i politikave, mund të konstatojmë se synimi ynë është njeriu”, theksoi Gashi.
