Gjykata Themelore Penale në Shkup ka publikuar informacione zyrtare mbi statusin e proceseve gjyqësore dhe dënimeve me burg për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, të lidhura me rastet e ish-Prokurorisë Speciale Publike. Nga Gjykata konfirmojnë se një nga dënimet tashmë është vjetëruar, por theksojnë se ndaj Gruevskit vazhdojnë të jenë aktive fletarrestime dhe procese gjyqësore.
Gjykata Penale njofton se dënimi me burg prej dy vitesh për rastin “Tank” zyrtarisht është vjetëruar. Në këtë rast, Gruevski ishte dënuar për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa aktgjykimi u bë i plotfuqishëm më 4 tetor 2018.
Sipas afateve ligjore, vjetërimi absolut për ekzekutimin e dënimit ka ndodhur më 4 tetor 2024, pas së cilës Gjykata, me detyrë zyrtare, ka marrë vendim për vjetërimin e tij.
Pavarësisht kësaj, Nikola Gruevski vazhdon të përballet me pasoja serioze juridike. Aktualisht janë aktive dy fletarreste ndërkombëtare për vuajtjen e dënimeve me burg:
-Për rastin “Dhuna në Qendër” i është shqiptuar dënim me burg prej 1 viti e 6 muajsh, me afat vjetërimi deri më 10 shtator 2027.
-Për rastin “Parcelat në Vodno” është dënuar me 9 vite burg, me afat vjetërimi deri më 14 shkurt 2043.
Përveç kësaj, për të njëjtin rast është shqiptuar edhe një gjobë që nuk është paguar, ndaj është zëvendësuar me dënim shtesë me burg prej 180 ditësh, i cili vjetërohet në shkurt 2027.
Nga Gjykata Themelore Penale në Shkup bëjnë të ditur se, përveç vendimeve të formës së prerë, ndaj Gruevskit po zhvillohen edhe procese të tjera gjyqësore në mungesë, pasi ai nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes.
Bëhet fjalë për rastet e njohura në opinion si “Titanik” dhe “Talir 2”, të cilat vazhdojnë ende.
Me këto informacione, Gjykata konfirmon se, megjithëse disa raste janë mbyllur për shkak të vjetërimit, beteja ligjore për Nikola Gruevskin vazhdon përmes proceseve dhe fletarresteve aktive.
