“Të rinjtë dhe varësia nga mjetet narkotike – pasojat dhe parandalimi” ishte tema e panelit të organizuar në Shkollën e Mjekësisë në Tetovë nga Unioni i Nxënësve të kësaj shkolle, me pjesëmarrje të mësimdhënësve, profesorëve universitarë, psikologëve por edhe përfaqësues të Policisë së Tetovës.
Në këtë panel u shtruan pyetje se cilët janë faktorët kryesor që i shtyjnë të rinjtë drejt përdorimit të substancave narkotike, sa ndikim kanë rrjetet sociale dhe presioni i grupit në këtë fenomen, çfarë roli luan familja në parandalimin e këtyre fenomeneve negative e të ngjashme.
Qëllimi i panelit ishte informimi, ndërgjegjësimi dhe diskutimet për mënyrat konkrete për parandalimin e kësaj dukurie.
MALSORE RAMADANI – Drejtore e SHMKM
Panelistët, profesionistë të fushave përkatëse ndanë përvojat dhe njohuritë e tyre që të kuptohet sa më thellë ky problem dhe rrugët për t`u luftuar kjo dukuri negative. U potencua rëndësia e faktorit të parandalimit.
BESA HAVZIU – Profesore universitare
Varësia nga substancat narkotike është një sfidë reale që prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, duke ndikuar, jo vetëm në shëndetin e tyre fizik dhe mendor, por edhe në familje, shkollë dhe shoqëri.
