Site icon Tetova Expres

TETOVË – PARKINGU PARALEL VAZHDON TË SHKAKTOJ KAOS NË TRAFIK

Vazhdon kaosi në trafik si pasojë e parkimit paralel në Tetovë. Këto pamje që po shihni vazhdojnë të jenë përditshmëri, ndërsa situata pritet të përkeqësohet me ardhjen e mërgimtarëve gjatë sezonit të verës. Nga data 1 janar deri më 13 prill të këtij viti, në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës janë regjistruar 1300 gjoba për parkim paralel dhe parkim në vend të gabuar, por megjithatë kjo, si duket, nuk e ka zgjidhur problemin. Përveç gjobave, shërbimi komunal i merimangës ka ngritur mbi 1 mijë vetura vetëm për këto 3 muaj.

FATMIR REXHEPI – ZËDHËNËS I SPB TETOVË
“Sa u përket keqparkimeve në qytetin e Tetovës, pjesëtarët e policisë të Stacionit për Siguri në Trafikun Rrugor, gjatë këtyre tre muajve e gjysmë të vitit 2026, kanë shqiptuar diku 1300 gjoba sa i përket keqparkimit, kurse shërbimi komunal i merimangës ka ngritur mbi 1 mijë automjete, për të cilat janë përgatitur parashtresat përkatëse dhe shoferët do të ballafaqohen me gjoba. Sa i përket gjobave, numri më i madh i tyre janë për parkim në rend të dyfishtë, në zonë të udhëkryqeve, rreth rrotullimeve, vijave të bardha dhe trotuareve.”

Por qendra e qytetit nuk është i vetmi vend ku shoferët e pandërgjegjshëm bllokojnë rrugën. Edhe në pjesët e tjera të qytetit na përsëritet i njëjti problem. Përveç ngadalësimit dhe ngulfatjes së trafikut, sfidë në vete është kalimi i ndihmës së shpejtë, kalimi i zjarrfikësve dhe i policisë nëpër lagjet me rrugë më të ngushta në periferi të Tetovës.

Ekipi i Televizionit Koha para disa ditësh qëndroi edhe në transportin publik, ku pamë nga afër se si shoferët e autobusëve përballen me vështirësi dhe bllokim në trafik, pikërisht për shkak të parkimit paralel si dhe parkimit të veturave në vendet e parapara për ndalim të autobusëve.

Ndërkohë, edhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, para disa ditësh i tha TV-Kohës se është i vetëdijshëm për problemin me parkimin paralel, nga ku paralajmëroi se komisioni i formuar nga ana e Komunës së Tetovës pritet që së shpejti të japë zgjidhje, duke trefishuar numrin e parkingjeve për vetura dhe duke intervenuar për ndryshimin e regjimit të komunikacionit në disa rrugë që paraqiten si problematike. Deri në zgjidhjen e këtij problemi, Kasami u bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë në Tetovë duke u parkuar në vende jo adekuate.

Advertisement
Exit mobile version