Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratën e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, në të cilën u paraqitën akuza për varësi politike dhe financiare të televizionit Alfa.
Nga Agjencia theksojnë se etiketimi publik dhe përdorimi i mediave në përplasjet politike nuk përputhen me parimet demokratike dhe cenojnë lirinë e shprehjes. Sipas tyre, është e papranueshme që bartës të funksioneve publike të përdorin retorikë diskredituese, e cila mund të ndikojë në rritjen e polarizimit në hapësirën mediatike dhe të dëmtojë besimin e publikut ndaj mediave.
Institucioni nënvizon se çdo dyshim për parregullsi apo paligjshmëri në punën e mediave duhet të trajtohet përmes institucioneve kompetente, dhe jo përmes akuzave publike apo deklaratave politike.
Në të njëjtën kohë, Agjencia u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të komunikojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive, duke shmangur deklaratat që mund të ushtrojnë presion mbi mediat ose të cenojnë besimin e publikut në to.
