Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar armatim të ri duke propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e forcave të armatosura serbe.
Sipas tij, plani përfshin krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, si dhe përdorimin e municioneve “fluturuese”.
Me paralajmërimin e armatimit të ri, Vuçiqi duket se i referohet aleancës ushtarake midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.
“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm”
Vitin e kaluar, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Përfaqësuesit e tri vendeve thanë atëkohë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride.
Ata theksuan se aleanca mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt, por Vuçiq, në disa raste, e përshkroi atë si kërcënim për Serbinë.
