Site icon Tetova Expres

DOGANA KA PARANDALUAR KATËR TENTATIVA PËR TRAFIKIM TË ARIT!

Drejtoria e Doganave thotë se ka ngritur nivelin e kontrollit përmes vendosjes së profileve adekuate të rreziqeve, që ka rezultuar me zbulimin e disa tentativave për të trafikuar arin, gjatë dy javëve të kaluara.

Zyrtarët doganorë kanë parandaluar katër tentativa për kontrabandë ari në pikat kufitare, gjatë të cilave janë sekuestruar sende të arta që udhëtarët kanë tentuar t’i fusin ilegalisht në vend.

Siç bëjnë të ditur nga Drejtoria Doganore, rastet janë zbuluar gjatë kontrolleve të detajuara të udhëtarëve dhe bagazheve të tyre, ku tek disa persona janë gjetur sende ari të padeklaruara.

Ndaj personave të përfshirë janë ngritur kallëzime përkatëse, ndërsa ari i sekuestruar është konfiskuar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave.

Gjatë dy javëve të fundit, në pikën kufitare “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit” janë zbuluar tre tentativa për kontrabandë ari me peshë totale prej 285 gramësh dhe vlerë rreth 23 mijë euro.

Advertisement

Më herët, Drejtoria Doganore ka informuar edhe për një rast të parandaluar të kontrabandës së arit në pikën kufitare Bogorodicë. Në të gjitha rastet, ari është sekuestruar dhe ndaj të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale.

Drejtoria Doganore rikujtoi një rast tjetër, ku zyrtarët doganorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit parandaluan kontrabandën e 1.7 kilogramëve stoli ari të çmuar, të cilat gjatë procedurës penale nga një ekspert gjyqësor janë vlerësuar në pothuajse një milion euro.

Exit mobile version