Në Kuvend, deputetët i dhanë “dritë jeshile” vazhdimit të situatës së krizës në vend lidhur me furnizimin me derivate të naftës. Me këtë vendim, situata e krizës do të jetë në fuqi deri më 20 Korrik 2026.
Për shkak se rreziqet për ndërprerje në furnizimin me naftë dhe derivate të saj vazhdojnë të jenë të pranishme, Kuvendi në seancën e sotme plenare miratoi vendim për vazhdimin e gjendjes së krizës në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ky vendim, i cili më parë u mbështet edhe nga Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, parashikon vazhdimin e gjendjes së krizës deri më 20 korrik 2026.
Zbatimi i tij do të fillojë më 21 prill 2026, menjëherë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”.
Në arsyetim thuhet se kjo masë vjen si pasojë e përkeqësimit të situatës ndërkombëtare të sigurisë dhe energjisë pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe nga çrregullimet serioze në transportin e naftës së papërpunuar – veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit.
Me qëllim zbutjen e efekteve të krizës, Qeveria ka ndërmarrë disa masa, përfshirë uljen e TVSH-së për energjentët, si dhe uljen e akcizave për naftën dhe benzinat pa plumb.
Këto hapa synojnë ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve dhe sigurimin e furnizimit të pandërprerë.
