Nxënësit e shkollave fillore, disa orë brenda ditës, kalojnë me telefonat e mençur, duke lënë pasdore librat.
Kështu në një anketë janë përgjigjur 36% nga 703 nxënësit e klasave të katërta dhe 63% nga 585 nxënësve të klasave të teta.
Anketa, që kishte përfshirë 1.288 nxënës të klasave të katërta dhe të teta, ishte zbatuar nga Instituti për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike të Universitetit “Shën Kirili” në Shkup, ku sipas tyre, 24% e nxënësve të anketuar e kalojnë gjithë ditën në telefon, që do të thotë, jetojnë me celularët.
Skena gjithnjë e më shumë po përsëritet. Nxënësi në bankë kokulur, shikimi i fiksuar në ekran, gishti me nervozizëm “skrollon” përmbajtjet. Vëmendja qëmoti është tranferuar në “TikTok”, “Snapchat” ose në “memen” që po qarkullon në “chatin” grupor. Kjo dukuri, është bërë aq e përditshme sa që tashmë nuk shkakton befasi. Ka shumë debate edhe për përpjekjet për t`u prononcuar rreth dukurisë që po i shmangemi vazhdimisht– si duket sot rritja përmes ekranit të telefonave të mençur?
Tv Koha doli në terren për të konfirmuar të dhënat e lartëpërmendura.
Por, të rinjtë dhe të rejat, nuk pëlqejnë që të prononcohen para kamerave.
Më të moshuarit, mbase që kanë nipër e mbesa, nuk e kanë këtë problem. Kanë edhe mesazhe mjaft domethënëse.
“Shumë e përdorin. Duhet më pak ta përdorin, më tepër librat t`i përdorin”
“Shumë e përdorin. Kam nipa dhe mbesa, por s`mund t`i ndalish. Edhe nënave u vjen më kollaj, ja telefonin”
“Mendoj se duhet të reduktohet përdorimi i telefonave nëpër shkolla, këtë duhet ta bëjnë edhe autoritetet e shkollës, por edhe prindërit, për shkak se nxënësit duke përdorur telefona bëhen më josocial, duhet më shumë të shoqërohen, sikurse më parë që ka qenë”
U drejtuam tek disa shkolla fillore në Komunën e Tetovës.
Në Shkollën Fillore “Kirili dhe Metodi” thanë për Tv Koha se kanë vënë një rregull rreth përdorimit të telefonave të mençur nga nxënësit. Gjithçka duhet të kalojë në marrëveshje me arsimtarët.
SIHANA KABA – KASAMI – Drejtore e Sh.F “Kirili dhe Metodi” – Tetovë
“Mirëpo, çfarë ndodh, dita-ditës po hasim në raste nga më të ndryshmet, sepse i marrin edhe pa i deklaruar. Nëse telefoni nuk është deklaruar, nxënësi nuk e ka lënë tek vendi i posaçëm, atëherë ne e marrim telefonin si Drejtori dhe si shërbim pedagogjik e psikologjik dhe menjëherë për gjysmë ore e thërrasim prindin dhe merremi vesh. Nëse nxënësi vazhdon, atëherë i marrim telefonat I vendosim në arkën e shkollës, me kusht që t`i marrin bashkë me dëftesat në muajin qershor”
Nxënës me uniforma të kuqe në klasë. Të gjithë njëlloj.
Pamjet vijnë nga Shkolla Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Poroj.
Atje tashmë disa vite rreptësisht është i ndaluar përdorimi i telefonave në ambientet shkollore.
BUJAR ISLAMI – Drejtor Sh.F “Gj.K.Skënderbeu” – Poroj
“Që nga viti 2019 nxënësit në shkollë vijnë pa telefona. Është një rregull që është vendosur bashkë me Këshillin e Prindërve, Këshillin e Shkollës dhe Këshillin e Arsimtarëve, rregull e cila zbatohet maksimalisht, që do të thotë se në shkollën tonë asnjë nxënës nuk vin me telefona. Është një fenomen pozitiv që ekziston në shkollën tonë dhe dhe jemi duke e zbatuar në mënyrë perfekte dhe me disiplinë maksimale. Është instaluar një Komision, i cili për çdo ditë e mbikqyr çështjen e telefonave”
“Skrollojnë”, shkruajnë dhe qëndrojnë me orë të tëra.
Të rinjtë kalojnë në telefona po aq sa një punëtor në orarin e plotë të punës.
Instagrami, Facebooku, Tik-Toku po marrin gjithnjë e më shumë jehonë në përditshmërinë e të rinjve që duken si të “robëruar” nga rrjetet sociale. Ekspozohen ndaj çdo përmbatjeje, veçanërisht në atë që ua servojnë “influencerët” ose të ashtuquajturit “personalitete me ndikim”.
FLLANZA SALIU – Psikologe
“Realisht ne jetojmë në kohën e digjitalizimit. Teknologjia nuk është vetëm e dëmshme, ajo ka edhe përparësitë e veta, mirëpo mënyra se si e përdorim e bën dallimin.Parandalimi është në kohën. Koha duhet të kufizohet. Përgjegjësia më e madhe është tek prindërit, koha duhet të jetë e kufizuar. Edhe cilësia, se çfarë shohin fëmijtë, pasi duhet të jemi të vetëdijshëm, se kur ua japim fëmijëve telefonin, ua japim qasje në një botë virtuale dhe në atë moment ajo botë virtuale ka qasje në psikologjinë e tyre .Është një dozë që merret për çdo ditë në kontinuitet, ajo, të them edhe helmon”
Defektologia Merita Ajeti për Tv Koha thotë se përdorimi i tepërt i telefonave, mund të ndikojë edhe në aspektin emocional dhe social të fëmijëve. Ata mund të izolohen, të kenë më pak kontakt me prindërit dhe shokët.
MERITA AJETI – Defektologe
“Fëmijtë që qëndrojnë gjatë nëpër telefona kanë vështirësi të fokusohen në mësim, u ulet interesi ndaj librave dhe shpesh kanë rezultate më të ulëta gjithashtu u dëmtohet edhe kujtesa dhe aftësia për të menduar në mënyrë kritike. Qëndrimi I gjatë në telefon sjell lodhje të syve, probleme me shikimin, dhimbje të kokës, poashtu edhe mungesë të aktivitetit fizik, gjë që mund të çojë deri në mbipeshë”
Të fiksuar pas telefonave, telefon të mençur që nga klasa e pestë, celularët miq apo armiq, janë disa nga çështen që shtrohen në përditshmërinë e fëmijëve tanë.
Por, ekspertët rekomandojnë se, “gjithçka nis nga shtëpia” duke vënë si prioritet angazhimin më të madh të prindërve.
Por, për klasa të qeta, nevojiten edhe shkolla pa telefona.
Tashmë është ndezur alarmi. Hulumtimi i lartëpërmendur zbuloi edhe një trend tjetër shqetësues – çdo gjeneratë e re, lexon gjithnjë e më dobët dhe fëmijtë nuk dijnë të formojnë qëndrimin e tyre.
