Salla sportive e qytetit në Tetovë, e ndërtuar në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, ende nuk është vënë në përdorim.
Ky objekt sportiv me një kapacitet prej rreth 5,000 vendesh është i vetmi në qytet që përmbush standardet për ndeshje ndërkombëtare dhe të ligës së parë.
Megjithatë, në vend të sportit, salla, e cila strehon disa kompani prodhuese dhe shërbyese, përdoret për biznes.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kaami, tha se janë fituar të gjitha “betejat” ligjore dhe tani, salla është nën kompetencat e Komunës.
‘’Përfundimisht pas gati 5 viteve në krye të detyrës në Komunën e Tetovës janë fituar betejat ligjore dhe salla e sportit i është kthyer komunës së Tetovës. Komuna e Tetovës është duke përgatitur projekt për rikonstruminin e sallës dhe e njëjta të jetë në shërbim të sportit dhe atë duke i plotësuar të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare për destinimin që e ka. Për basket, volejboll, hendboll dhe gjithë këto sporte të cila luhen në sallë. Unë besoj se shumë shpejt përkrah stadiumit si një terren kapital për sportin tetovar edhe salla e sportit do të jetë në shërbim të sportistëve tetovar’’ deklaroi kryetari i Komunës Bilall Kasami
Komuna e Tetovës thotë se palestra sportive e qytetit iu dha me koncesion një kompanie private në vitin 2001, e cila, sipas marrëveshjes, ka të drejtë ta menaxhojë deri në vitin 2034.
Janë zhvilluar negociata për ndërprerjen e koncesionit dhe dorëzimin e sallës te pushteti vendor, kurse sipas kreut të Komunës, tashmë salla vehet në shërbim të qytetarëve.
Këtë vit, Komuna e Tetovës mori në zotërim stadiumin e qytetit, i cili gjithashtu menaxhohej nga koncesionari privat që tani menaxhon palestrën sportive të qytetit.
Sipas njoftimeve të pushtetit vendor, stadiumi në Tetovë, ku aktualisht po kryhen aktivitete ndërtimi, do të marrë një pamje të re brenda 18 muajsh.
Shaban Sinani – TV Koha
