Rruga Tetovë Prizren ende në fazë projektimi. Pavarësisht se në Kosovë muaj më parë filloi hapja e trasesë me makineri në terren, te ne projekti ende po endet nëpër zyra. Zv/ministrja e Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri thotë se janë ndarë 2 milion euro për projektimin e rrugës Tetovë-Prizren dhe se pas kësaj pritet që fillohet me punë. Zekolli bën me dije se për hapjen e tunelit që duhet të bëhet nga ana e të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, po kërkohet ndonjë grand i jashtëm që të mos rëndoj buxhetin e qeverive dhe që puna të kryhet më shpejtë
“Për vitin 2026, nga buxheti i Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore janë siguruar 2 milionë euro për projektimin kryesor edhe tani shumë shpejt duhet të hapet tenderi për projektim. Më vjen keq që duhet ta them këtë, po patjetër duhet ta kalojmë pjesën e projektit kryesor. Pa projekt, ne nuk mund të dimë saktë sa do të kushtojë, sa do të zgjasin punimet, si do të realizohet e gjithë kjo. Ajo që na lidh me Kosovën është një tunel i përbashkët, për këtë edhe me Kryeministrin Kurti kemi biseduar se si të gjejmë, qoftë një grant të përbashkët që të mund të realizohet, por neve njëherë na intereson kjo pjesa jonë që të fillojmë, por patjetër njëherë duhet të bëhet projekti kryesor.
Por para se Qeveria të fillojë, kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ditë më parë njoftoi se ka ndarë 18 milionë denarë për fillimin e rrugës Tetovë Prizren, gjegjësisht, hapjen e një tranziti nga hyrja në fshatin Shipkovicë e deri në përfundimin e fshatit në drejtim të rrugës për Brodec.
“ Për projektimin, buxheti është tek, siç thashë, Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore. Kjo që ka thënë komuna është për t’u përshëndetur dhe tregon se edhe ata kanë gatishmëri dhe seriozitet që t’i shkojnë kësaj pune deri në fund. Padyshim që edhe në Ministrinë e Transportit ne kemi program ku mbështesim rrugë të tilla, jo vetëm thirrjeve që i kemi nga kredia hungareze, kemi edhe buxhet të ministrisë edhe pa dyshim që një prej projekteve kryesore që është në interesin tonë është edhe rruga Tetovë-Prizren dhe neve do ta kalojmë këtë në qeveri dhe kjo do të bëhet pjesë e fillimit të punimeve të kësaj rruge dhe do t’i ndihmojmë komunës.”
Rruga Tetovë Prizren është një projekt që është duke u premtuar gati më shuam se 20 vite. Shpesh herë është thënë se ka janë duke u bërë projektime por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në terren. Në Janar të vitit 2024 mes ministrisë së transportit të Kosovës dhe Maqedonisë është nënshkruar edhe një marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për tunelin i cili duhet të jetë 6.4 kilometra.
