Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka mbajtur dje mbledhjen e katërt të Këshillit të Përgjithshëm në Likovë, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në vend, organizimi i brendshëm partiak dhe çështjet rajonale e ndërkombëtare.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në mbledhjen e katërt të Këshillit të Përgjithshëm që është mbajtur në Likovë, sic thuhet në komunikatën partiake, ka kërkuar analizë të thelluar të situatës politike dhe orientim të strukturave partiake për periudhën në vijim.
BDI, siç thuhet në komunikatë, shprehu shqetësim për atë që e cilësoi si tendencë për “grryerjen” e Marrëveshja Paqësore e Ohrit, duke paralajmëruar pasoja serioze për stabilitetin e vendit dhe procesin integrues drejt Bashkimi Evropian.
Në aspektin e zhvillimeve të brendshme, në komunikatë potencohet se, BDI ngriti akuza për presion politik ndaj ish-zyrtarëve të saj, konkretisht ndaj Blerim Bexheti dhe Fatmir Dehari. Partia theksoi se mbështet kontrollin institucional dhe transparencën, por kundërshton, siç u shpreh, “drejtësinë selektive dhe të motivuar politikisht”, duke iu referuar rasteve në Saraj dhe Kërçovë.
Kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN. Reagimi i tyre ka të bëjë me gjuhën shqipe në provimin e jurisprudencës.
VLEN doli me akuza se BDI ka patur pesë ministra shqiptarë në Drejtësi, por siç thonë, gjuha shqipe u la jshtë provimit të jurisprudencës.
VLEN, në komunikatë përmend emrat e Blerim Bexhetit, Adnan Jasharit, Valdet Xhaferit, Bilen Saliut dhe Krenar Llogës, duke e quajtur pesë mundësi për ta ndrequr një padrejtësi dhe sërish, sipas VLEN, studentët shqiptarë mbetën jashtë mundësisë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Dokumenti i nënshkruar nga Talat Xhaferi e vulos të vërtetën për përjashtimin e shqipes nga provimi i jurisprudencës. Edhe më rëndë, ky ligj kaloi me badenter, pra edhe me votat e deputetëve shqiptarë të asaj kohe” – thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Sipas tyre, e gjithë kjo e zhvesh deri në palcë BDI-në dhe mashtrimin e saj. Në opinion bëjnë patriotin, në institucione votonin dhe firmosnin kundër shqiptarëve – thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
