Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) mbrëmë shënoi 35-vjetorin e themelimit të saj në një ceremoni solemne ku morën pjesë anëtarë dhe mbështetës të partisë.
Ngjarja tërhoqi vëmendje edhe për shkak të paraqitjes së parë publike, pas një periudhe të gjatë, të ish-liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
Në 35-vjetorin e themelimit të LSDM-së, ish-lideri socialdemokrat dhe ish-Kryeministri, Zoran Zaev, mbërriti në këtë ngjarje në fund të ceremonisë, rreth pesë minuta para përfundimit, pasi kishin mbaruar të gjitha fjalimet dhe programi muzikor.
Sipas pamjeve nga ngjarja, ai u prit me duartrokitje, ndërsa të pranishmit e përshëndetën, e përqafuan dhe bënë fotografi me të.
Ai kërkoi falje për vonesën, duke thënë se e kishe patjetër të jetë në promovimin e një filmi.
Mungesa e tij, si dhe e Branko Cërvenkovskit, ishte komentuar më herët nga mediat, pasi në ceremoni ishin të pranishëm vetëm Filipçe, Buçkovski dhe Kovaçevski.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në seancën solemne me rastin e 35-vjetorit të parties, tha se qytetarët meritojnë një politikë ndryshe dhe një të ardhme më të mirë.
VENKO FILIPÇE – Kryetar i LSDM-së
“Gënjeshtrat, patriotizmi i rremë dhe nacionalizmi i ashpër në dëm të marrëdhënieve ndëretnike kanë përfunduar. Pushtetin po e kthejmë në duart e qytetarëve. Prandaj sonte, në këtë përvjetor, dua të rikthehemi jo vetëm te historia jonë, por edhe te parimet tona. Te fjalia e Kiro Gligorovit: ‘Maqedonia është gjithçka që kemi’. Në këtë fjali ka më shumë urtësi shtetërore sesa në shumë zhurma që kemi dëgjuar ndër vite dhe që vazhdojmë t’i dëgjojmë edhe sot”
Prania e ish-kryeministrit dhe ish-liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, në këtë përvjetor, sipas partisë në pushtet VMRO-DPMNE, ka rikthyer dyshimet për ndikimin e tij në drejtimin aktual të partisë.
Në reagimin e sotëm, VMRO-DPMNE ngriti akuza lidhur me politikat dhe vendimet e periudhës kur Zaev ishte në pushtet, duke përfshirë çështje që lidhen me sistemin gjyqësor, ekonominë dhe interesat kombëtare.
“Personi që ndryshoi emrin e shtetit, që ndikonte në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që vendoste për procese gjyqësore, që merrte ‘një euro për vëllanë dhe një euro për kishën’, që shkatërroi bujqësinë, arsimin dhe kulturën, që dëmtoi imazhin, gjuhën dhe identitetin – i dënuari i amnistuar Zaev – u prit nga besnikët e tij, në krye me Filipçen dhe Dimitrievqin, si lider suprem”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
