Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot ka zhvilluar takimin e fundit me partnerin e koalicionit VLEN, lidhur me ligjin e ri për arsimin e lartë.
Ministrja Vesna Janevska bëri të ditur se në takim janë shqyrtuar gjashtë pika të projektligjit, ndërsa dokumenti tashmë është finalizuar dhe do të dërgohet në procedurë qeveritare.
VESNA JANEVSKA – Ministre e Arsimit
“Patëm gjashtë pika për diskutim dhe për të gjitha arritëm dakordim, kështu që nesër ligji shkon në procedurë qeveritare. Pesë prej tyre ishin diskutuar edhe më herët dhe nuk ishin më fare kontestuese. Pika e fundit ishte indeksi Hirsch, për të cilin gjithashtu gjetëm zgjidhje – të mos jetë element bazë si kriter për zgjedhje, por të përfshihet si element shtesë. Në rast se dy profesorë kanë pikë të njëjta, vendimtar do të jetë h-indeksi. Kjo tashmë është pranuar”
Përmes një komunikate, ky njoftim është konfirmuar edhe nga koalicioni VLEN. Sipas tyre, në takimin e sotëm me partnerët e koalicionit qeveritar, është arritur dakordësi e plotë për versionin final të pakos së ligjeve për reforma në arsimin e lartë.
VLEN e quan një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të drejtë, më cilësor dhe më gjithëpërfshirës.
VLEN thekson qartë se këto reforma nuk janë thjesht ndryshime ligjore, por një angazhim konkret për të ndërtuar një të ardhme akademike të qëndrueshme dhe konkurruese. Heqja e H-Indeksit si kriter bazë për përzgjedhjen e kuadrit akademik është një vendim i drejtë, që reflekton realitetin dhe nevojën për vlerësim më të balancuar dhe meritokratik. Si rrjedhojë e kësaj, asnjë i punësuar nuk do të humbasë vendin e punës. Përkundrazi, do të krijohen mekanizma të rinj që stimulojnë zhvillimin profesional dhe avancimin e kuadrit akademik. Universitetet do të kenë më shumë hapësirë për zhvillim cilësor dhe autonomi funksionale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, sic thuhet në komunikatë, përfaqësuesit e VLEN kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me rektorë dhe profesorë, duke siguruar që kërkesat reale të universiteteve, veçanërisht atyre shqiptare, të reflektohen drejtpërdrejt në këtë reformë. Vendimi që rangimi për organizimin e ciklit të tretë të bëhet nga universitetet më të mira, sipas VLEN, është një standard që rrit cilësinë, ku universitetet në gjuhën shqipe do të jenë pjesë aktive dhe konkurruese.
VLEN, sic thuhet në komunikatë, është garantues se me këtë ligj universitetet në gjuhën shqipe jo vetëm që nuk do të dëmtohen apo anashkalohen, por do të vendosen në një pozitë të barabartë dhe dinjitoze me të gjitha institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend.
Me këtë rast, VLEN përmend rastin konkret, sic thonë, investimin historik rreth 40 milion euro për kampusin e “Nënë Terezës”.
Synimi ynë është i qartë, thonë nga VLEN, universitetet në gjuhën shqipe të jenë në krye, të fuqizuara dhe konkurruese në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
