Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, tashmë prej një muaji nuk merr pjesë në mbledhjet e Qeverisë dhe askush nuk e di nëse, deri në riformatimin e Qeverisë të paralajmëruar për fund të majit ose fillim të qershorit, do të jetë pjesë e Qeverisë.
Informacionin se Zv/Kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai nuk shkon në punë e bëri publik ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bashkëpartiak i tij nga VLEN.
Nga Qeveria thonë se si trup kolektiv funksionojnë pa pengesa dhe me kapacitet të plotë, por as nuk e kanë konfirmuar dhe as nuk e kanë mohuar faktin që Fetai nuk merr pjesë në mbledhjet qeveritare.
Ministri Aliu, në një intervistë për “360 shkallë”, tha se në periudhën e fundit nuk ka komunikuar me Fetain, pasi ai nuk po merr pjesë në mbledhjet e Qeverisë, por sqaroi se mungesa e tij nuk lidhet me probleme shëndetësore.
Disa njoftime bëjnë të ditur se Fetai për një periudhë të caktuar ka qëndruar në Belgjikë pranë familjes së tij. Sipas burimeve të tjera, ai ka qenë në Belgjikë dhe më pas është parë në Shkup, por megjithatë nuk po shkon në punë.
Konfirmim se Fetai nuk po merr pjesë në punë erdhi edhe nga komunikata e VLEN-it, se me partnerin qeveritar VMRO-DPMNE kanë arritur marrëveshje të plotë për versionin final të pakos së ligjeve për reforma në arsimin e lartë.
Në fotografitë e publikuara nga VLEN, Fetai nuk shihet, ndërsa në takimin me kryeministrin Mickoski dhe ministren e Arsimit Vesna Janevska, janë Zv/Kryeministri I Parë, Bekim Sali, si dhe kryetarët e komunave të Tetovës dhe Çairit dhe njëkohësisht kryetarët e ardhshëm të VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
Zëvendëskryeministri Fetai dhe ministri i Shëndetësisë Aliu u ndanë nga krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Arben Taravari, kur ky i fundit në maj të vitit 2025 u largua nga Qeveria.
