Site icon Tetova Expres

DITA E PLANETIT: NJË DITË DITA E TOKËS – 364 TË TJERA “DITË TË NËNTOKËS”!

Sot shënohet 56-vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Planetit Tokë. Tema e këtij viti është “Fuqia jonë, planeti ynë”, një thirrje për veprim kolektiv përballë pasigurisë klimatike dhe presioneve mbi kornizat rregullatore.

Motoja e Ditës së Tokës për vitin 2026 tingëllon ndryshe kur dëgjohet në Shkup, Tetovë apo qytete tjera që përballen me ndotjen gjatë dimrit.

Ajër ekstremisht i ndotur, varfëri e theksuar energjetike, menaxhim joefikas i mbetjeve dhe progres i ngadalshëm në tranzicionin energjetik janë gjetjet kryesore të raportit evropian për mjedisin për vitin 2025 për Maqedoninë e Veriut.

Dita e Planetit Tokë, sivjet vjen me temën “Fuqia Jonë, Planeti ynë” dhe me një pyetje shumë praktike për secilin prej nesh. Sa na kushtojnë veset e përditshme që i përsërisim pa menduar fare, nga rryma që e harxhojmë, përmes ujit që e lëshojmë, deri në plastikat që i blejmë dhe mbeturinat që lëmë pas vete. Mesazhi I kësaj dite është se progresi ekologjik nuk varet vetëm nga një Qeveri ose nga një vendim, por nga zgjedhjet e përditshme që i bëjmë si shoqëri, familje, punëtorë dhe institucione.

Dorën në zemër, në qytet vërrehet një ndryshim sa i përket pastërtisë. Nuk shihen edhe deponi të egra. Qytetarët e vërejnë këtë ndryshim, por thonë se kjo nuk mjafton, duhet më tepër.

Advertisement

“Kohën e fundit pak është përmirësuar, por mundet edhe më mirë”

“Po, 50% është më pastër. Dobët e ruajmë ambientin, ne njerëzit”

“Mbeturina sa të duash, nuk është i pastër. Tani shoh më shumë gjelbërim në qytet, por duhet më tepër të ketë”

“Hiç, edhe ne si njerëz nuk e ruajmë ambientin”

Qytetarët në vendin tonë duhet të kërkojnë përgjegjësi për cilësinë e ajrit, mbështetje për përshpejtimin e tranzicionit energjetik. Planeti nuk pret vonesat administrative. As njerëzit që marrin frymë në të.

Advertisement

Aktivistët ekologjik alarmojnë për uzurpimin e hapësirave të gjelbërta në favor të bizneseve.

ARIANIT XHAFERI – Aktivist ekologjik

“Fatkeqësisht kemi një herë në vit Ditën e Tokës dhe 364 ditë të tjera “Ditën e Nëntokës”. Jemi dëshmitarë të ekspansionit të madh të komplekseve residenciale, që kanë çmime shumë të larta që nuk mund të përballohen nga qytetarët, ndërtohet me të madhe dhe mjedisi nuk ruhet mjaftueshëm.  Çalojmë në shumë aspekte, mendoj se Dita e Tokës duhet të jetë çdo ditë dhe jo një herë në vit të kujtohemi për këtë gjë”

Kur mungon kultura qytetare, mungon edhe kultura institucionale – thotë Arianit Xhaferi, duke potencuar se si shoqëri civile jo gjithmonë dijmë ta përdorim atë fuqi në ruajtjen e ambientit.

ARIANIT XHAFERI – Aktivist ekologjik

Advertisement

“Fuqia e qytetarëve mund të shfrytëzohet në formë presioni edhe në ditën e votimit, ditën e zgjedhjeve, duhet t`u dërgohet mesazh I qartë gjithë politikanëve se të gjitha to tema që hapen në kohë fushate, janë të rëndësishme, por jo aq të rëndësishme sa mbrojtja e mjedisit jetësor sepse mjedis jetësor shtesë nuk kemi”

Në vendin tonë, shqetësues është fakti se 61% e familjeve përdorin dru për ngrohje, duke kontribuar në ndotjen e ajrit dhe degradimin e pyjeve.

Ky është një rreth vicioz i vështirë për t’u thyer: familjet përdorin dru sepse nuk përballojnë alternativa më të shtrenjta, por në të njëjtën kohë ndotin ajrin që vetë e thithin.

Agjencia Evropiane e Mjedisit, në raportin e vitit 2025, ofron një pasqyrë të detajuar për Maqedoninë e Veriut.

Shifrat janë të rënda: rreth 3.800 jetë humben çdo vit si pasojë e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur, që përbën 17,7% të vdekshmërisë totale, duke e renditur Maqedoninë ndër vendet më të ndotura në Evropë. Humbjet ekonomike nga këto pasoja arrijnë nga 5,2% deri në 8,5% të bruto produktit kombëtar, ose mbi gjysmë miliardë dollarë në vit.

Advertisement

Pyetja më e papërshtatshme në këtë Ditë të Planetit Tokë është nëse jemi të gatshëm të pranojmë se çmimin ekologjik tashmë jemi duke e paguar. Ndonjëherë përmes llogarive të larta, ndonjëherë përmes ajrit të ndotur, deponive, kurse ndonjëherë edhe përmes parave publike për të sanuar problemet që mund të parandalohen. Dilema mbetet e hapur nëse veset do t`i ndryshojmë sistematikisht, me kohë dhe me rregulla ose sërish do të reagojmë atëherë kur harxhimet do të bëhen të mëdhaja për t`u injoruar. TV KOHA

Exit mobile version