Site icon Tetova Expres

QEVERIA E “PËRZHINËS” SHKON NË HISTORI, PËRPLASJE POZITË – OPOZITË!

Me 67 vota “për”, 13 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Kuvendi në seancën e sotme miratoi nevojën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Qeverinë me procedurë të shkurtuar, që përbën fazën e parë të procedurës parlamentare. Nëse këto ndryshime miratohen, sipas propozimit të shumicës qeverisëse, do të hapet rruga për shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike, e cila formohet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Por ky ndryshim ligj nuk morri mbështetje të opozitës. “Nuk do t’i mbështesim heqjen e qeverisë teknike” tha deputetja e BDI-së Arbana Pasholli duke shtuar se qeveria teknike është arritur me marrëveshje politike me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve dhe se në të njëjtën mënyrë duhet edhe të zhbëhet.

ARBANA PASHOLLI – Deputete e BDI-së
“Në lidhje me ligjin për qeveri teknike, mendojmë që gjithçka që është arritur me marrëveshje politike dhe mbëshetje të ndërkombëtarëve, duhet në të njëjtën mënyrë t’i qaset edhe kur kërkohet që e njëjta të shfuqizohet. Në atë drejtim, mendoj se ne nuk do ta mbështesim atë ligj”.

Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski nga foltorja e Kuvendit tha se socialdemokratët janë edhe kundër shfuqizimit të ligjit për qeveri teknike por edhe kundër mënyrës se si po shfuqizohet. Ai rikujtoi se ligji për qeverinë teknike është rezultat i një marrëveshjeje politike ndërmjet katër partive më të mëdha, me garanci nga bashkësia ndërkombëtare, dhe se pas miratimit në zgjedhjet e 2016-tës me kërkesë të VMRO-DPMNE-së në vitin 2018, e njëjta zgjidhje ishte miratuar sërish pa kufizim kohor, përkatësisht me vlefshmëri deri në hyrjen e shtetit në Bashkimin Evropian.

OLIVER SPASOVSKI – Deputet i LSDM-së
“Sot paraqiten qëndrime të cilat drejtpërdrejt i kundërshtojnë kërkesat dhe propozimet e dhëna në vitin 2018. Ligji për Qeverinë është pjesë e një agjende më të gjerë reformuese, e cila përfshin edhe kodin zgjedhor dhe kodin e ri penal. Me miratimin e një zgjidhjeje të tillë me nxitim, në procedurë të shkurtuar, nuk do të mund t’i përmbushim kriteret e agjendës reformuese, e cila parashikon një qasje sistematike dhe të thelluar. Nuk ka nevojë për nxitim. Është e nevojshme të kthehemi në formatin përmes të cilit është miratuar kjo zgjidhje ligjore, me konsensus dhe dialog ndërmjet partive politike”.

Advertisement

Në tekstin e propozim-ndryshimeve të dorëzuara deputetëve theksohet, ndër të tjera, se megjithëse qeveria kalimtare në një kontekst të caktuar historik dhe ka pasur një rol stabilizues, zbatimi i vazhdueshëm i saj me kalimin e kohës është dëshmuar si jofunksional dhe financiarisht i pajustifikuar. Në arsyetimin e propozim-ligjit gjithashtu theksohet se miratimi i këtyre ndryshimeve do të vendosë një kornizë të qartë dhe të zbatueshme ligjore, e cila do të garantojë zgjedhje të ndershme dhe transparente përmes institucioneve dhe do të eliminojë zgjidhjet e përkohshme të vendosura me marrëveshje politike në të kaluarën.

Exit mobile version