Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini, është arrestuar nën dyshimet për përvetësim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe nga Prokuroria.
Sipas MPB-së, ish-kreu i FFM-së, Muamet Sejdini, është ndaluar nga zyrtarë policorë të Njësisë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, si dhe të Policisë Kriminalistike.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se hetimet janë në vijim.
“Në kuadër të një rasti të hapur në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një person për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale – përvetësim dhe keqpërdorim. Po ndërmerren ende veprime me urdhër të prokurorit publik dhe më shumë informacione do të jepen pas përfundimit të tyre”, njoftojnë nga Prokuroria.
Muamed Sejdini ishte në krye të FFM-së për dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025.
Në muajin shkurt të këtij viti, ai u pezullua për dy vite nga FFM për shkak të mashtrimit dhe keqpërdorimit të autorizimeve.
Komisioni Disiplinor i FFM-së ka konstatuar se Sejdini, duke keqpërdorur pozitën e tij, ka nënshkruar një kontratë me një kusht të futur për pagesë paraprake prej 20%, edhe pse një kusht i tillë nuk ishte pjesë e ofertës së pranuar për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.
Avansi është paguar pa garanci bankare dhe pa autorizim përkatës.
Sipas informacioneve të para, Sejdini dyshohet se ka përvetësuar rreth 700.000 euro – mjete që Bashkimi Evropian i Futbollit (UEFA) ia kishte ndarë FFM-së për punime ndërtimore në stadiumin e Ohrit.
