Në kuadër të angazhimit akademik dhe praktik, katedra e Gjeografisë realizoi me sukses një ekspeditë studimore dyditore me studentët, duke ofruar një përvojë të drejtpërdrejtë në terren dhe ndërlidhje konkrete të teorisë me praktikën.
Itinerari i kësaj ekspedite përfshiu drejtimet Tetovë – Strugë – Pogradec (Liqeni i Ohrit) – fushëgropa e Korçës, ku studentët patën mundësinë të eksplorojnë nga afër tiparet gjeografike, zhvillimin urban, si dhe elementet kulturore të këtyre zonave. Vizitat në monumente natyrore dhe kulturore shërbyen si një “laborator i hapur”, duke i ndihmuar studentët të kuptojnë më thellë proceset gjeografike dhe ndërveprimin e njeriut me mjedisin.
Dita e dytë e ekspeditës vazhdoi me vizitat në Voskopojë dhe monumentet e saj me vlera të veçanta historike e kulturore, si dhe në rajonin e Liqenit të Prespës. U realizuan ndalesa në vendkalimin kufitar në Stenjë, më pas në qytetin e Resnjës dhe në Manastir, ku studentët analizuan karakteristikat rajonale dhe rëndësinë e tyre në kontekstin më të gjerë gjeografik dhe socio-ekonomik. Në kuadër të kësaj vizite, u zhvillua edhe një takim në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të njihen nga afër me Fakultetin e Shkencave Humane, përkatësisht me katedrën Histori-Gjeografi. Kjo përvojë ofroi një pasqyrë të qartë mbi programet studimore, kushtet e studimit dhe mundësitë për zhvillim akademik e profesional në fushën e gjeografisë. Në vazhdën e aktiviteteve akademike, më 20.04.2026, studentët e katedrës së Gjeografisë ndoqën edhe ligjërata të hapura nga profesorë vizitorë nga Republika e Shqipërisë, të cilat u fokusuan në tematika të ndërlidhura drejtpërdrejt me zonat e vizituara gjatë ekspeditës.
Ligjërata “Zbulimi i Shqipërisë Juglindore: një vështrim mbi natyrën dhe ekonominë” u mbajt nga Doc. Dr. Rudina Uruçi, ndërsa ligjërata “Rajonet ndërkufitare dhe mundësitë për integrim: rasti Gollobordë–Strugë” nga Prof. Asoc. Artan Lila. Përmes këtyre ligjëratave, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të analizojnë në mënyrë më të strukturuar fenomenet gjeografike dhe zhvillimet rajonale.
Profesorët vizitorë u pritën nga dekani i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, Prof. Dr. Florim Idrizi, prodekani për shkencë, Prof. Dr. Ahmed Jashari, si dhe shefi i Departamentit të Gjeografisë, Prof. Dr. Resul Hamiti.
Këto aktivitete janë një pjesë e rëndësishme për formimin akademik të studentëve, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive praktike, në zgjerimin e horizonteve shkencore dhe në forcimin e lidhjeve mes institucioneve.
