Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e ka hequr obligimin e detyrueshëm për shoferët, të cilët më parë duhej të paraqisnin fletëpagesat për gjobat e trafikut të paguara nga sistemi “Qyteti i Sigurt” në stacionin më të afërt policor, si dëshmi se e kanë kryer pagesën, për shkak se MPB-ja nuk ishte e lidhur në mënyrë digjitale me Ministrinë e Financave.
Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se vërtetimet për gjobat e paguara të trafikut nga sistemi ‘Qyteti i Sigurt’, të kryera në bankë ose në mënyrë elektronike, nuk ka nevojë të dorëzohen në stacion policor. Sistemi është i lidhur automatikisht me atë të Ministrisë së Financave, gjë që mundëson evidencë të pagesave të realizuara pa pasur nevojë për procedura shtesë administrative nga ana e qytetarëve. Gjatë pagesës, qytetarët janë të obliguar, pa marrë parasysh nëse ajo kryhet në bankë apo në mënyrë elektronike, të plotësojnë me kujdes fletëpagesën sipas udhëzimit juridik nga procesverbali. Është veçanërisht e rëndësishme që të shënohet saktë numri unik i procesverbalit në fushat ‘referencë numri’ dhe ‘qëllimi i pagesës’ në fletëpagesë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përveç fletëpagesës si dëshmi, qytetarët ishin të detyruar të printonin dhe ta dorëzonin edhe procesverbalin, të cilin paraprakisht e merrnin në mënyrë elektronike përmes e-mailit.
Sa i përket shqiptimit të gjobave, MPB-ja është plotësisht e digjitalizuar. Procesverbali për kundërvajtjen plotësohet automatikisht me të dhënat personale që policia i posedon për të gjithë qytetarët, si dhe me adresat e e-mailit. Gjoba dërgohet shumë shpejt dhe në mënyrë digjitale. Megjithatë, procedura e konfirmimit të pagesës ishte manuale, duke i detyruar qytetarët të paraqiten në stacionet policore me procesverbalin dhe fletëpagesat, të presin në radhë dhe që zyrtarët të bëjnë kopje të dëshmive në formë letre. Kjo shpesh u merrte qytetarëve një ditë të tërë (pune) për përmbushjen e kësaj detyrimi.
