Aksioni i lidhur me botokse dhe filera ilegale është zgjeruar dhe po arrestohen të dyshuar të rinj, bëjnë të ditur nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Që nga mbrëmë e deri më tani po vazhdojnë kontrollet te të gjithë anëtarët e grupit kriminal që importonte dhe shpërndante në mënyrë të paligjshme pajisje mjekësore.
Fillimisht u arrestuan më shumë se 10 të dyshuar.
Disa prej tyre janë mjekë nga klinikat e Shkupit, të tjerë pronarë të ordinancave dermatologjike, organizatorë të transportit dhe shitjes së botokseve dhe filerave të futura ilegalisht.
“Deri në këtë moment janë siguruar disa persona, por për shkak të përmasave dhe seriozitetit të rastit, aksioni po zgjerohet me kontrolle të reja dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë”, informojnë nga Prokuroria.
Sipas informacioneve nga MPB, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale po kryhen bastisje në disa lokacione në Shkup, si dhe në Strumicë dhe Manastir.
Deri më tani janë sekuestruar sasi e konsiderueshme barnash dhe pajisjesh mjekësore, një automjet luksoz, para, parfume dhe telefona. Sipas informacioneve fillestare, filerët nuk kishin miratim, as udhëzime dhe etiketa, ndërsa ishin importuar nga Kina, Serbia dhe Turqia.
Dogana, para 10 muajsh, njoftoi se kishte sekuestruar 210 paketime botoksi në kufirin me Bullgarinë, në pikën kufitare “Deve Bair”.
Ato i transportonte një person që kishte ardhur nga Stambolli.”
