Site icon Tetova Expres

KORRIDORI 8: BDI DHE VLEN – PROJEKTI NUK NDALET!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mirëpret zhvillimet e fundit lidhur me projektin strategjik të Korridorit 8, të cilat dëshmojnë qartë se ky projekt madhor vazhdon edhe përkundër përpjekjeve të Qeverisë për ta shkëputur lidhjen e tij me Republikën e Shqipërisë.

Shtyrja e vizitës së delegacionit të UNESCO-s nuk e vë në pikëpyetje realizimin e projektit, por konfirmon seriozitetin dhe domosdoshmërinë e realizimit të tij sipas projektimit të realizuar në kohën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë, thonë integristët.
BDI rikujton se Korridori 8 është projekt me rëndësi strategjike për vendin dhe rajonin, i cili lidh lindjen me perëndimin, forcon integrimin ekonomik dhe rrit lëvizjen e lirë të qytetarëve. Mbështetja e Bashkimit Evropian dhe angazhimet e marra në Deklaratën e Tiranës janë dëshmi shtesë se ky projekt është prioritet i padiskutueshëm. Përpjekjet për ta penguar apo vonuar këtë projekt janë të kota, sepse Korridori 8 është një realitet në ndërtim dhe një domosdoshmëri për të ardhmen evropiane të vendit.

Mirë se erdhët në realitetin e Korridorit 8 – thuhet në reagimin e VLEN, sic thonë, duke e mirëpritur “zbulimin” e fundit të Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me Korridorin 8, i cili, edhe pse me vonesë, konfirmon atë që e kanë thënë dhe dëshmuar vazhdimisht: ky projekt nuk ndalet dhe nuk është pronë e askujt.

Pas një periudhe të gjatë deklaratash kontradiktore dhe përpjekjesh për të krijuar mjegull politike, është inkurajuese të shohim se opozita më në fund po reflekton dhe po i afrohet qëndrimeve që VLEN i ka mbrojtur me konsekuencë dhe përgjegjësi institucionale.VLEN rikujton se përkushtimi ynë për realizimin e Korridorit 8 ka qenë i qartë që nga dita e parë: Një projekt strategjik që lidh vendin me rajonin dhe me Bashkimi Evropian, dhe që duhet të ndërtohet mbi baza profesionale, transparente dhe të qëndrueshme.

Ndërtimi i segmentit rrugor dhe hekurudhor të Korridorit 8 do të kushtojë pothuajse 5 miliardë euro, deklaroi dje dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, gjatë takimit për aktivitetet dhe planet e projekteve të Korridorit 8.

Advertisement

Sa i përket segmentit autostradë Trebenishtë – Qafë Thanë, pas vërejtjeve nga UNESCO për shkak të zonës së mbrojtur, ai theksoi se nuk vihet në pikëpyetje fakti nëse do të ketë zgjidhje autostrade deri në Strugë dhe në pikën kufitare Qafë Thanë, por vetëm se nëpër cilën trase do të kalojë.

Njëkohësisht anulohet ardhja e delegacionit të UNESCO-s në Maqedoni, që të diskutohen vërejtjet lidhur me punimet e Korridorit 8 në rajonet e mbrojtura.

Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se UNESCO do të vinte kah mesi i Majit, sipas Ministrit Nikolovski, me kërkesë të tyre vizita mund të realizohet në mesin e qershorit.

Me deklaratën e nënshkruar më 18 shkurt të këtij viti në Tiranë, shtetet që janë pjesë e Korridorit 8 konfirmuan sërish përkushtimin e tyre për zbatimin e këtij projekti.

Advertisement
Exit mobile version