Site icon Tetova Expres

“MË MIRË PËR TETOVËN”: “SAUBERMACHER” DO T`I RRISË ÇMIMET?!

Nisma “Më mirë për Tetovën” u bën thirrje të gjithë këshilltarëve të Komunës së Tetovës, sic thonë, të mos lejojnë rritjen e çmimit të shërbimeve nga Saubermacher, e cila godet direkt xhepin e qytetarëve. Nga Komuna e Tetovës thonë se nuk do të lejojnë të rëndohet ekonomia e qytetarëve dhe se kanë vërrejtjet për propozim-çmimoren e kompanisë që do të shpalosen gjatë seancës së të hënës.

Në mbledhjen e radhës të Këshillit, e cila do të mbahet ditën e hënë, më 27.04.2026, si pika e 20 e rendit të ditës, nga udhëheqësia komunale është pranuar propozimi i “Saubermacher” për çmimore të re që do të rrit ndjeshëm çmimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave si për persona fizik dhe ato juridik, thanë në një press-konferencë para Komunës së Tetovës nga nisma “Më mirë për Tetovën”.

Kjo nismë ka publikuar edhe propozim – çmimoren që e kanë pranuar këshilltarët komunal.

Sipas tyre, po ndodh rreziku të cilin e kishin paralajmëruar.

AGRON ARIFI – “Më mirë për Tetovën”
Sipas propozimit të rendit të ditës dhe materialit që kemi pranuar, parashihet që shërbimet nga “Saubermacher” të rriten 30% për amvisëritë (shtëpitë dhe banesat) dhe 50 deri 100% për bizneset, me çka dëmtohet drejtpërdrejtë buxheti i tetovarëve.
Ky është rreziku që i kanoset qytetarëve kur komuna lidh marrëveshje për Partneritet Publiko-Privat. Privati gjithmonë ka interes përfitimin financiar, ndërsa komuna, e cila nuk është e aftë të ofrojë shërbimet e duhura dhe të jetë në shërbim të qytetarëve, i ikën përgjegjësisë duke lidhur marrëveshje të dëmshme që zhvasin banorët e Tetovës.

Advertisement

Kryesuesi i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli, tha se e kanë pranuar kërkesën e “Saubermacher” për rritje të çmimeve dhe se kanë vërrejtjet e tyre që do t`i shpalosin në seancën e së hënës. Por, sipas Abdulit, rritja nuk është aq sa pretendojnë nga nisma “Më mirë për Tetovën”.

JUSUF ABDULI – Kryesues i Këshillit Komunal

“Po është bërë kërkesë nga ana e “Saubermacher” për rritjen e çmimeve, në bazë të kërkesës ka një rritje prej 30% për qytetarët ndërsa për kompanitë ka rritje, nuk është rritje aq sa këshilltari i pavarur e thotë. Ne si grup i këshilltarëve jemi në diskutim dhe kemi vërejtjet tona të cilat do t’i shpalosim në seancën e radhës, do mundohemi të gjejmë zgjidhje dhe që mos ketë rritje ose mos pranohet kjo kërkesë e Saubermacherit që të ketë një rritje që nuk do ndikojë në ekonominë e qytetarëve”, tha Abduli.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës në vitin 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjia e pagesës. Paraprakisht paguhej taksa për çdo anëtarë të familjes, kurse aktualisht sipas metrit katror të banesave.

Advertisement

Kompania kishte inicuar edhe procedura për pagesë të detyrueshme të borxheve të papaguara të faturave të qytetarëve./Tv Koha/

Exit mobile version