Ligji për arsim të lartë duhet parë si nevojë e kohës dhe si hap për ta rregulluar një fushë që lidhet drejtpërdrejt me fatin e rinisë – thonë nga koalicioni VLEN. Në një konferencë për media, VLEN përmend se është krijuar ndjenjë pasigurie te të rinjtë, bindje se studimet jo gjithmonë të japin atë vlerë që duhet dhe se rruga drejt suksesit shumë shpesh kërkohet jashtë vendit, e jo këtu. Sipas VLEN-it, thelbi i këtij ligji është STUDENTI.
XHAN DIKA – Student në ciklin e dytë
Studenti duhet të jetë në qendër, jo vetëm në fjalë, por edhe në vendimmarrje. Prandaj, me Ligjin për arsim të lartë, për herë të parë studenti bëhet pjesë e Këshillit nacional për arsimin e lartë. Kjo do të thotë se studenti nuk do të jetë më vetëm ai që pret vendime nga të tjerët, por do të ketë zërin e vet aty ku vendoset për arsimin e lartë.
Ky ligj është i rëndësishëm pasi që synon edhe rritjen e cilësisë. Vendit tonë nuk i duhen diploma pa peshë, por universitete serioze, standarde dhe arsim që i përgatit të rinjtë për jetën dhe për tregun e punës.
Sa më shumë cilësi dhe perspektivë të ndërtojmë këtu, aq më shumë arsye do të kenë të rinjtë të qëndrojnë këtu.
Prandaj, ne e mbështesim këtë ligj si hap të domosdoshëm drejt një sistemi më cilësor, ku studenti dëgjohet, cilësia rritet dhe rinia fiton më shumë shpresë për të ardhmen.
Ajo që e bën VLEN-in të dallueshëm është puna, ndërsa arsimi shqip për ne është prioritet kombëtar – thotë studenti i ciklit të dytë, Xhan Dika.
