Një zhvillim i ri politik është konfirmuar sot në Këshillin e Komunës së Tetovës, pasi dy këshilltarë të AKI-së, që vijnë nga radhët e ASH-së, Arlind Murtezani dhe Zehra Musai, kanë paraqitur kërkesë zyrtare për të vepruar si të pavarur dhe për t’u shkëputur nga koalicioni AKI.
Lajmin, para nisjes së seancës, e bëri publike Kryesuesi i Këshillit, Jusuf Abduli.
“Para se të fillojmë me punë në seancën e 12-të të Këshillit të Komunës së Tetovës, Ju informoj se nga ana e Këshilltarëve, Arlind Murtezani dhe Zehra Musai, kam pranuar një kërkesë me shkrim, me të cilën informojnë se do të veprojnë si Këshilltarë të pavarur. Ata janë pjesë përbërëse të koalicionit AKI” – njoftoi në fillim të seancës, Kryesuesi i Këshillit, Jusuf Abduli.
Ky zhvillim pritet të ndikojë në balancat politike brenda këshillit, duke hapur mundësi për rikonfigurime të reja dhe bashkëpunime të mundshme në të ardhmen.
Me këtë vendim, koalicioni AKI, mbetet me 10 Këshilltarë në Këshillin e Komunës së Tetovës./Tv Koha/
