Për ndeshjen e divizionit të dytë spanjoll mes Hueskës dhe Zaragozës flet e gjithë bota, pasi portieri i ekipit mysafir goditi me grusht në kokë një futbollist të vendasve. Gjatë gjithë takimit pati tensione të mëdha në fushë, duke qenë se të dyja skuadrat luftojnë për mbijetesë, ndërsa gjithçka kulmoi në minutat shtesë.
Në ndeshjen e Divizionit të Dytë të Spanjës në futboll, të zhvilluar dje midis Hueskës dhe Saragosës, futbolli kaloi në plan të dytë për shkak të një incidenti që shkaktoi kaos të vërtetë në fushë.
Në qendër të vëmendjes ishte portieri i Zaragozës, Esteban Andrada. Fillimisht ai shtyu një lojtar kundërshtar, për çka mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua automatikisht.
Por nuk u ndal me kaq – i revoltuar nga vendimi, u kthye dhe e goditi në kokë të njëjtin futbollist, duke e rrëzuar në tokë.
Situata eskaloi me shpejtësi. Edhe pse bashkëlojtarët e tij u përpoqën ta qetësonin, nuk arritën ta ndalonin. Në fushë shpërtheu kaos i vërtetë, u përfshinë disa lojtarë dhe në rrëmujë ishte e vështirë të kuptohej se kush kë po sulmonte dhe çfarë po ndodhte saktësisht.
Nuk ka dilema se portierin Andrada e pret një dënim i ashpër, ndërsa kërkohet madje edhe pezullim disa vjeçar për portierin e Zaragozës.
