Hetuesit po shqyrtojnë ndjenjat anti-Trump si një motiv për të dyshuarin që sulmoi të shtunën me armë zjarri në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington DC, ku ishin të pranishëm presidenti amerikan dhe anëtarët e lartë të administratës së tij.
Zyrtarët kanë thënë se autori i sulmit ka të ngjarë të ketë pasur në shënjestër Donald Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës.
I dyshuari, i cili është në paraburgim pasi u kap nga anëtarët e zbatimit të ligjit ndërsa nxitonte nëpër hotel, do të paraqitet në gjykatën federale të hënën. Ai përballet me akuza për sulm ndaj një oficeri federal, qitje me armë zjarri dhe përpjekje për të vrarë një oficer federal, por Blanche ka thënë se në varësi të mënyrës se si shkon hetimi, ai mund të akuzohet edhe për tentativën e vrasjes së Trumpit.
Hetuesit po vlerësojnë një shënim që thuhet se është shkruar nga i dyshuari, i cili është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç, nga Torrance, Kaliforni. Në shënimin e dyshuar, i cili është botuar i plotë nga New York Post, Allen kishte krijuar një listë objektivash për të shtënat, të renditura nga prioriteti më i lartë në atë më të ulët, me zyrtarët e administratës Trump në krye.
Një zyrtar i njohur me çështjen i ka thënë The Guardian se shënimi i botuar nga Post ishte autentik.
I dyshuari për sulmin u kishte dërguar anëtarëve të familjes së tij shkrime në të cilat renditeshin ankesat e tij kundër administratës, rreth 10 minuta para se të ndodhnin të shtënat, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që kanë folur me Associated Press.
Zyrtarët kanë thënë se i dyshuari qëlloi me armë gjahu një agjent të Shërbimit Sekret në një pikë kontrolli sigurie në hotelin Washington Hilton përpara se të ndalohej dhe arrestohej.
Trump, Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarët e kabinetit u larguan me nxitim ndërsa incidenti zhvillohej. Agjenti i Shërbimit Sekret që u qëllua i shpëtoi lëndimeve të rënda sepse plumbi goditi jelekun e tij mbrojtës, ka thënë Trumpi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është frustruar me gazeten e “60 Minutes” Norah O’Donnell, gjatë një interviste të dielën, pasi ajo e pyeti për përmbajtjen e raportuar të shkrimeve të të dyshuarit për sulmin në darkën e Shtëpisë së Bardhë.
Mirëpo Trumpin duket se e zemëroi kjo dhe e quajti O’Donnell një “turp” që e pyeti për fragmentet, duke shtuar se “duhet të turpërohesh që e lexon atë, sepse unë nuk jam asnjë nga këto gjëra”.
VIDEO:
Të shtënat në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duket se janë përpjekja e tretë për vrasjen e Donald Trumpit, pas incidenteve në Butler, Pensilvani në korrik 2024, dhe në klubin e tij të golfit në Florida në shtator të atij viti.
Mirëpo, presidentin amerikan nuk e ka shqetësuar sulmi i së shtunës.
“Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur”, ka thënë Trumpi në një intervistë për “60 Minutes” të dielën.
I pyetur për rendin e ngjarjeve, në të cilat JD Vance u nxor me nxitim nga dhoma i pari, Trumpi ka thënë se “nuk po ua bënte të lehtë” agjentëve të Shërbimit Sekret ta evakuonin atë nga dhoma.
“Doja të sihja se çfarë po ndodhte… Doja të shihja se çfarë po ndodhte. Dhe në atë kohë filluam të kuptonim, ndoshta ishte një problem i madh”, është shprehur ai.
CBS News, ka parë një dokument të shkruar që besohet të jetë i lidhur me të dyshuarin, Cole Allen, ku thuhet se ai donte të shënjestronte anëtarët e administratës Trump “nga rangu më i lartë tek më i ulëti”.
